“Qytetarët duhet të dinë se referendumi i 16 janarit mbi ndryshimin e Kushtetutës, në pjesën e cila ka të bëjë me drejtësi, nuk ka asnjë lidhje me statusin e Kosovës”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit serb, Ivica Daçiq.
Megjithatë, ai theksoi se, “nëse realisht duam të arrijmë qëllimin e reformës në fushën e sundimit të ligjit, do të ishte e rëndësishme që referendumi të ketë sukses dhe shtoi se zyrtarët shtetërorë duhet të përfshihen më shumë në fushatën e referendumit”.
“Mendoj se zyrtarët shtetërorë duhet të përfshihen më shumë në fushatën e referendumit dhe të shpjegojnë sa është e rëndësishme për të gjithë qytetarët. Për të mos folur për efektin anësor, i cili është kryesori – nuk do ta kishim fituar hapjen e klasterit nëse nuk do të kishte thirrje për referendum”, ka deklaruar Daçiq për TV Pink, transmeton Paparaci.
Daçiq shtoi se është i vetëdijshëm se tema e drejtësisë mund të mos i intrigojë njerëzit që të interesohen masivisht për referendumin, por do të ishte shumë e rëndësishme që të gjithë ta dinë se të gjitha këto ndryshime nuk kanë të bëjnë me Kosovën, sepse siç ai tha, nga të dyja anët po vijnë gënjeshtrat.
Nga njëra anë janë partitë e djathta që pretendojnë të mbrojnë Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit, që nuk ka lidhje me të, dhe nga ana tjetër, opozita e mbledhur rreth Gjilasit – disa nuk janë të interesuar, ndaj do të bojkotojnë dhe disa do të dalin dhe votojnë kundër, shpjegoi Daçiq.
Ai përkujtoi se zgjedhjet vijnë pas referendumit.
“Kuvendi pret miratimin në referendum dhe pastaj do të nxjerr aktin për ndryshimin e Kushtetutës dhe më pas do të shpërndahet. “Nga mesi i shkurtit do të shpërndahet Kuvendi dhe do të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe në fillim të marsit shpallen zgjedhjet presidenciale”, ka thënë Daçiq./Paparaci
