Të fundit

Ekonomia “përplas” VV-në dhe LDK-në në fundjavë

Ministri i Financave, Hekuran Murati publikoi një grafik duke shkruar se ekonomia e vendit “ka vazhduar rritjen”, gjë që sipas tij dëshmon për “qëndrueshmëri të bizneseve tona përballë sfidave të njëpasnjëshme”. Atij i reagoi anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, i cili e quajti ministrin të paaftë dhe deklarimin e tij mashtrim. Lidhur me këtë ka reaguar edhe nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Murati u thirr në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndërsa tha se rritja reale e ekonomisë vjet ishte 3.98%.

“Ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar, duke dëshmuar qëndrueshmëri të bizneseve tona përballë sfidave të njëpasnjëshme. Sipas ASK-së, për TM4 2023 rritja reale e ekonomisë ishte 3.96%, gjë që ishte në linjë edhe me pritjet tona”, shkroi ai.

Ministri publikoi një grafik, i cili sipas tij shfaq krahasimin e performancës ekonomike të vendit ndër vite.

“Në grafikun më poshtë mund të shihni edhe krahasimin e performancës ekonomike të vendit nëpër vite. Përderisa me qeveritë e kaluara për 3 vite ekonomisë i shtoheshin vetëm 1 miliardë euro, me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit”, shkroi ai.

Rukiqi i LDK-së, tha se ministri po manipulon në krahasimin e viteve.

“Ja si manipulon një i paaftë i pushtetit. Një vit me recesion (rritje negative ekonomike), me aktivitet të pëergjysmuar ekonomik, e krahason me një vit me inflacion, me rritje çmimesh, rrjedhimisht me qarkullim të rritur, jo nga rritja reale e aktivitetit ekonomik, por nga rritja e çmimeve, në kurriz të qytetareve të vendit”, shkroi Rukiqi, duke shpërndarë postimin e Muratit.

Rukiqi tha se qytetarët po varfërohen dhe nuk po mund ta përballojnë jetën e shtrenjtë.

“Ministër,, qytetarët në hall, po marrin kredi dhe mbitërheqje në banka, me norma të larta të interesit, për të përballuar shpenzimet. Mbi 30000 qytetarë i janë shtuar listës të të varfërve. Këta qytetarë që nuk mund të përballojnë jetën e shtrenjtë, do të duhej të ishin brenga jpte, e jo manipulimi me grafikone. Fatkeqësisht, për vendin dhe qytetarët, ti je ndër të paaftit e shumtë në këtë qeveri”, shkroi Rukiqi.

Kurse, Bajrami përmendi në Facebook inflacionin enorm e milionat e shpenzuara në tenderë njëburimor.

“Hekurani qenka bërë kreativ këtë të dielë, por rritja ekonomike sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës duket si në foton me poshtë”, shkroi ish-ministrja, duke publikuar një grafik, së bashku me link-un e ASK-së.

“Derisa gjatë këtij mandati ka pasë inflacion enorm mbi 23% në kumulativ (2021: 3.4%; 2022: 11.6%; 2023: 5%; shkurt 2024: 2.2%), janë dhënë mbi 240 milionë euro tenderë njëburimor e investimet kapitale të nivelit qendror në 2023 janë sa ato të vitit 2017 vetëm 349 milionë euro”, shtoi Bajrami.

“Kënd po provoni ta mashtroni?”, shkroi në fund deputetja.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci