Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi ka mbërritur në aeroportin “Adem Jashari” para pak minutave.
Krasniqi është liruar dje nga gjykata italiane, teksa sot ka arritur në Prishtinë, raporton Indeksonline.
Para autoriteteve italiane, Krasniqi ka shpjeguar se ka qenë i pafajshëm me akuzën për favorizim migracioni.
“Zoti Krasniqi nuk ka asnjë dijeni që këta sportist nuk janë kthyer më në Kosovë, as se si janë marrë vizat, ai vetëm ka ofruar transportin, në fakt duke qenë ortak në këtë kompani transporti, ai indirekt është pjesë e gjithë kësaj”, ka thënë avokati i tij.
Krasniqi ishte arrestuar më 19 shkurt të këtij viti në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti të INTERPOL-it.
Ai ishte arrestuar nën dyshimet për trafikim me njerëz dhe ishte ekstraduar në Itali.
Hasan Krasniqi ishte asamblist nga partia Alternativa nga viti 2014 deri në vitin 2017. I njëjti në vitin 2017 nuk kishte mundur të rizgjedhej.
Në zgjedhjet e fundit lokale, ai ishte kandidat për asamble në listën e Vetëvendosjes pas marrëveshjes së nënshkruar në mes të kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti dhe kandidates për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh kryetare e partisë “Alternativa”.
Krasniqi është zgjedhur kryeshef në KRU “Gjakova” nga bordi i përkohshëm në KRU “Gjakova” i emëruar me 14 korrik të vitit të kaluar më një vendim të Qeverisë Kurti 2.
