Dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, fushatat kriminale të Serbisë për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët vendas, shkuan duke u ashpërsuar dhe intensifikuar.
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar se më 7 prill 1999, forca të armatosura policore dhe ushtarake të Serbisë sulmuan fshatin Abri e Epërme të Drenasit, duke i shënjestruar veçanërisht lagjet Demaku dhe Xhemajli, ku hasën në rezistencë nga ushtarët e Brigadës 111 “Adem Jashari” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pas disa orësh luftime të ashpra në mbrojtje të civilëve dhe të atdheut të tyre, më 7 prill 1999, ranë dëshmorë Xhevat Demaku – 24 vjeçar, bashkë me kushëririn e tij të parë Bedri Demakun – 22 vjeçar dhe bashkëluftëtarin e tyre Imer Shalën – 27 vjeçar nga fshati Dobrevë. Gjatë këtyre luftimeve u plagosën Besim Vrellaku, Xheladin Xhemajli, Driton Rama dhe Rexhep Hoxha,” ka shkruar Kurti në Facebook.
