Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar sot se letra e autoriteteve të Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës, me të cilën premtojnë se deri në fund të muajit do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, “është edhe një trik i Prishtinës”.
“Ky është një tjetër trik i realizuar bashkërisht nga Albin Kurti dhe ndihmësit e tij, përfshirë Gerald Knaus dhe lobistët e tyre të tjerë”, ka pretenduar ai, transmeton Paparaci.
Vuçiqi ka shtuar se Prishtina thotë se do të dorëzojë tekstin e saj të draft-statutit.
“Kush jeni ju që do të dërgoni tekstin tuaj? Marrëveshja e Brukselit thotë qartë se duhet të bëhet nga ekipi menaxhues serb ose të jetë ajo për çka paktën konceptualisht jemi marrë vesh, që të jetë BE. Fjala është për një trik pasi anglezët po u bëjnë presion të gjithëve që të pranojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE”, ka shtuar ai.
Vuçiqi ka shtuar se kjo sigurisht nuk është përpjekje serioze për të bërë diçka në zbatimin e marrëveshjes, qoftë edhe të draft statutit që e ka dorëzuar BE-ja.
I pyetur për të komentuar ndalimin e hyrjes në Kosovë të Patriarkut Porfirie, ai ka thënë se kjo është “dëshmi se si ata i respektojnë të drejtat e njeriut”.
“Fakti që nuk e lejuan patriarkun të hyjë në Kosovë është dëshmi se si ata i respektojnë të drejtat e njeriut dhe janë kandidatë për KiE, ka thënë Vuçiqi./Paparaci.com
