Aleksandar ‘Sasha’ Kasanof është emëruar Zëvendës Asistent Sekretar amerikan i Shtetit për çështje me Ballkanin Perëndimor, në pozitën që deri në muajin maj e kishte mbajtur emisari Gabriel Escobar.
Lajmin e bëri të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit në një njoftim për media të hënën.
Alexander ‘Sasha’ Kasanof është Zëvendës Ndihmës Sekretari për Ballkanin Perëndimor si dhe për Shtypin dhe Diplomacinë Publike në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.
Sipas njoftimit të DASh-it, ai ka shërbyer më parë si Asistent Ekzekutiv i ish Nënsekretares për Çështjet Politike Victoria Nuland dhe Ushtruese e Detyrës së Nënsekretarit për Çështjet Politike John Bass. Sasha ka shërbyer jashtë shtetit në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë”.

“Ai mori çmimin James Clement Dunn për ekselencë për punën e tij si Këshilltar Politik në Ambasadën e SHBA-së në Kiev gjatë Revolucionit Maidan dhe pushtimit pasues të Rusisë në Ukrainë. Detyrat e Sasha në Uashington përfshijnë: Drejtor i Zyrës së Politikave dhe Programeve Globale në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Zëvendësdrejtor i Stafit të Sekretariatit Ekzekutiv (“Linja”), Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Lindore dhe Zëvendësdrejtor i Zyrës së Çështjeve të Kaukazit dhe Konflikteve Rajonale”, thuhet në njoftimin e DASh.
.Ai është i diplomuar në Kolegjin Kombëtar të Luftës, Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare dhe Kolegjin Hamilton.
“Sasha flet frëngjisht, italisht, rusisht dhe spanjisht”, thuhet në njoftim.
Ish-emisari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ushtroi këtë detyrë deri në maj të këtij viti.
