Roma është duke konsideruar transferimin e sulmuesit së Lilles Edon Zhegrova, në rast që e humbasin yllin e skuadrës Paulo Dybala.
“Corriere della Sera” raporton se Dybala po e konsideron seriozisht ofertën e çmendur që ka pranuar në Arabinë Saudite, pra kontratë dyvjeçare, ku do të fitojë 20 milionë euro neto për sezon.
Kësisoj, klubi italian ka nisur punën për ta gjetur zëvendësuesin dhe aktualisht po prinë në garë Edon Zhegrova.
Ylli kosovar edhe në të kaluarën ka qenë i lidhur me kalimin te Roma, ndërsa e ka pranuar muaj më parë se është gati për të luajtur në një klub më të madh se Lille.
Një kalim i mundshëm te skuadra e De Rossit megjithatë mbetet peng i Dybalas, ku nëse argjentinasi ndryshon mendje atëherë gjasat janë shumë të mëdha që Zhegrova ta vazhdojë karrierën te Lille.
Roma nga Dybala mund të përfitojë rreth 20 milionë euro, ndërsa kartoni i Zhegrovës është 15 milionë euro në “Transfermarkt”.
Përndryshe, Zhegrova e ka nisur për mrekulli sezonin me Lille duke shënuar golin e fitores kundër Fenerbahces, në kuadër të raundit të tretë kualifikues për Ligën e Konferencës.
