Fiks në ditën kur Prokuroria Speciale do të shpalosë detaje rreth aktakuzës së ngritur ndaj Millan Radojçiqit dhe grupit të tij për sulmin terrorist të Banjskës, një analist i afërt me pushtetin tha sot se “ende nuk ka aktakuzë” ndaj kryeterroristit serb.
Gazmir Raci, një analist i afërt me pushtetin aktual, tha sot se edhe 14 ditë bëhen një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, kur një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku.
“Edhe 14 ditë bëhen një vit dhe ende nuk kemi aktakuzë ndaj Radojçiqit!”, tha Raci, pak orë pas ftesës së Prokurorisë Speciale për një konference me gazetarë ku raportohet se do të njoftohet për ngritjen e aktakuzës piklërisht për rastin e Banjskës.

Aktakuza tashmë është ngritur dhe e njëjta është dorëzuar pranë Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka raportuar sot Paparaci.
Në konferencën e ftuar për media në orën 12:00, Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj pritet që të shpalosë detajet e kësaj aktakuze.
Një grup i armatosur më 24 shtator të vitit të kaluar ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Udhëheqës i këtij grupi ishte Millan Radojiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, i cili kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi.
Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiq – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë. Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar terroristët e vrarë në këtë rast.
