Presidenti i klubit të Feronikelit ’74, Erlind Krasniqi, ka bërë të ditur se kanë dorëzuar kallëzim penal në prokurori ndaj gjashtë gjyqtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Krasniqi këtë e ka bërë të ditur gjatë konferencës për media ku njoftoi se klubi nga Drenasi do të vazhdojë të mbetet pjesë e Superligës.
“Po, kemi vazhduar anej. Janë gjashtë gjyqtarë, nuk është vetëm një” – tha ai në konferencë për media.
Krasniqi nuk tregoi më shumë detaje se për çfarë rrethana dhe ndaj kujt është dorëzuar kallëzimi penal.
Mirëpo, Feronikeli ’74 ishte ankuar më së shumti për ndeshjen e fundit ndaj Llapi.
Gjyqtar kryesor në këtë ndeshje ishte Erdall Zasella së bashku me ekipin e tij të përbërë nga gjyqtarët: Hekuran Osmani, Zgjim Rrahimi dhe Granit Pacolli. Kurse në VAR ishte Mentor Ajeti dhe Besnik Morina.
Fillimisht të enjten, Feronikeli ’74 kishte njoftuar se do të tërhiqen nga të gjitha garat e organizuara nga FFK-ja, mirëpo sot kanë njoftuar se janë tërhequr nga ai vendim dhe se do të vazhdojnë të mbeten në Superligë.
Pothuajse të gjitha klubet e Superligës kanë pasur kritika të vazhdueshme gjatë këtij sezoni për mënyrën e ndarjes së drejtësisë.
