Selektori i Rumanisë, Mirçea Lucescu nuk po arrin të pajtohet me vendimin e UEFA-s për sanksionet me gjobë dhe mbyllje të stadiumit për një ndeshje në shtëpi ndaj Fedetatës së Futbollit të Rumanisë.
Tekniku i njohur ka kërkuar nga federata rumune që të apelojë vendimin e UEFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Ai, në një intervistë për mediumin rumun Fanatik ka thënë se vendimi nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin, transmeton Paparaci.
“Duhet të shkojmë në CAS, të apelojmë, sepse është një vendim që nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin. Do të ishte një precedent i rrezikshëm, tani e tutje kushdo mund të largohet nga fusha nëse nuk i pëlqen rezultati. Është një vendim që i jep ujë mullirit për të tjerët, shembulli i Suedisë… Është e papranueshme kjo që bëjnë suedezët. Të gjithë duan të na vjedhin rezultatet”, tha Mircea Lucescu, në Fanatik.
“Kjo që po ndodh është e papranueshme, të gjithë po e godasin kombëtaren rumune! Nuk kam fjalë… Tani e shoh që ka problem me ne dhe me Suedinë. Është një mungesë respekti total, nuk dua të përdor fjalë më të ashpra… Të gjithë na presin në kthesë, për të na goditur në kokë, pa lojë të ndershme”.
Lucescut i ka mbetur hatri edhe me kombëtaren suedeze, e cila ka thënë se e mbështet Kosovën në apelimin e vendimit të UEFA-s, që ia dha fitoren në tavolinë 3-0 Rumanisë ndaj Kosovës. Suedia nuk arriti të siguronte në vend në play-offin e Kupës së Botës shkaku i fitores në tavolinë të Rumanisë, e cila ia dha kombëtares së Lucescut vendin e parë në Divizionin C të Ligës së Kombeve.
“A nuk e shihni pozicionin e Suedisë tash? Çfarë pretendimesh kanë ata?! Çfarë do të thotë? Nuk është e drejtë, sepse është puna e djemve, është puna jonë, është punë që kemi dhënë qind për qind në fushë, me talent dhe sakrificë. Mendoj se duhet të shkojmë në CAS dhe të sfidojmë vendimin e UEFA-s! Kjo është normale, le të mbrojmë të drejtat tona deri në fund dhe duhet ta bëjmë me forcë”, tha selektori i Rumanisë.
“Do të doja të kishte më shumë zëra nga vendi, madje edhe zëra politikë, institucionalë, nga liderët e Rumanisë, për të na mbrojtur. Sepse e shihni se çfarë po ndodh, filluan në nivel shtetëror të na sulmojnë ne, në nivel presidentësh, në nivel ministrash. Dhe nuk është në rregull, sepse asgjë nuk ndodhi në Bukuresht, as thirrje raciste dhe as ksenofobike”, u shpreh ai.
