Të fundit

Polonia synon avancimin e procesit të zgjerimit gjatë kryesimit të BE-së

Polonia për herë të dytë, prej kur është bërë anëtare e Bashkimit Evropian, ka marrë përsipër Presidencën e BE-së, duke filluar nga dita e parë e vitit 2025. Ky vend merr kryesimin e radhës nga Hungaria, ndërsa pas gjashtë muajsh do t’ia dorëzojë këtë Danimarkës, e cila do të kryesojë me bllokun evropian në gjysmën e dytë të vitit.

Krahas prioriteteve tjera, sikurse siguria e bllokut evropian, ruajtja e kufijve të BE-së, energjia dhe migracioni, për Poloninë do të jetë prioritet edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian. Këtë e kanë thënë shumë zyrtarë të lartë të Polonisë nëpër takime në të cilat i kanë shpalosur prioritetet e kryesimit të tyre gjashtëmujor, shkruan REL.

Edhe Hungaria, e cila përmbylli kryesimin e saj në fund të vitit 2024, konsideron se ka arritur një sukses të konsiderueshëm në procesin e zgjerimit, gjë që e kanë pranuar edhe disa diplomatë të Bashkimit Evropian.

Në fund të Presidencës së saj, Hungaria arriti të ndërmjetësojë në Këshillin Evropian një pajtueshmëri për hapjen e disa kapitujve në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve në negociatat e Malit të Zi për anëtarësim në BE.

Kjo u konsiderua si sukses dhe dëshmi se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë më dinamike dhe se, nëse vendet kandidate do të shënojnë progres në përmbushjen e kritereve, do të ketë avancim konkret në këtë proces.

Përkundër përpjekjeve, Hungaria nuk arriti të sigurojë hapjen e një grup kapitulli në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE, sepse me këtë nuk u pajtuan disa vende anëtare. Në procesin e zgjerimit vendimet për të hapur apo mbyllur kapituj miratohen vetëm me konsensusin e të gjitha 27 vendeve anëtare.

Në këtë proces të diskutimeve vendi që ka kryesimin e radhës e luan rolin e një ndërmjetësi të sinqertë dhe të paanshëm.

Tash pritet që Polonia të vazhdojë aty ku kanë mbetur disa dosje nga Hungaria, përfshirë edhe hapjen e kapitujve me Serbinë. Këtë e kishte premtuar edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk gjatë një vizite në Beograd në vjeshtën e vitit të shkuar.

Se zgjerimi do të jetë prioritet i BE-së gjatë kryesimit të Polonisë është shkruar edhe në programin e Qeverisë polake për kryesimin e saj gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Polonia beson se paralelisht me hapat konkretë me vendet kandidate, në formën e hapjes apo mbylljes së kapitujve, gjatë këtyre muajve do të ketë avancim edhe në reformat e brendshme të BE-së për t’u bërë gati për të pranuar vende të reja anëtare.

“Zgjerimi është instrumenti më i mirë i mundshëm për Bashkimin Evropian për të forcuar dhe promovuar paqen, demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin në Evropë. Vendet e reja anëtare forcojnë potencialin konkurrues dhe të rritjes në tregun unik, krijojnë mundësi të reja ekonomike për qytetarët dhe bizneset. Zgjerimi është, po ashtu, edhe kanali më efikas për promovimin e vlerave evropiane, me në krye demokracinë dhe sundimin e ligjit, dhe forcimin e stabilitetit në fqinjësinë tonë”, thuhet në programin e Presidencës polake të BE-së.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci