Kosova do të përfaqësohet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale) me filmin “Mua besoj më shpëtoi portreti”.
Kështu ka njoftuar kryeministri Albin Kurti në Facebook.
“Kinematografia jonë, kohëve të fundit me filma të metrazhit të shkurtë, po vazhdon të shkëlqejë në ngjarjet më prestigjioze të industrisë botërore të filmit”, ka shkruar ai.
Tutje, Kurti ka shtuar se filmi trajton një ngjarje nga lufta e fundit në Kosovë.
“Filmi rrëfen tregimin e piktorit Skender Muja i cili bashkë me qytetarë të tjerë mitrovicas, u ngujuan nga forcat serbe në një shkollë të Skenderajt të shndërruar në kamp ndalimi në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. Një reflektim i mbijetesës dhe qëndresës në relacion me fuqinë e artit për t’i arritur dy të parat”, ka shkruar kryeministri.
