Zonja e parë në ardhje e SHBA-së, Melania Trump, ka ndjekur shembullin e bashkëshortit të saj, Donald Trump duke e hedhur në treg një kriptomonedhë shumë miliarda dollarëshe – duke ulur shkurtimisht çmimin e monedhës së burrit të saj.
Çmimi i monedhës së presidentit të ardhshëm, $Trump, u trefishua në çmim në më shumë se 70 dollarë, duke i dhënë asaj një vlerë totale prej mbi 14 miliardë dollarësh menjëherë pas prezantimit të tij të premten.
Megjithatë, lansimi i monedhës së gruas së tij, $Melania, i zvogëloi disi ato fitime.
Trump, i cili do të inaugurohet të hënën, postoi në rrjetet sociale kriptomonedhën e tij: “Është koha të festojmë për çka ne qëndrojmë: Fitoren! Bashkohuni me komunitetin tim shumë të veçantë Trump. MERRNI $TRUMP TUAJ TANI.”
Kriptomonedha e Trump u fut shpejt në top 20-shen e të gjitha kriptomonedhave.
Menjëherë pas lançimit të $Melania, çmimi i $Trump ra me më shumë se 50%, nga 75 dollarë në 30 dollarë, përpara se të rikuperohej në mënyrë të qëndrueshme në orët pasuese në rreth 64 dollarë.
Më vete, edhe bitcoin – monedha dixhitale më e njohur në botë – arriti një rekord të ri, duke u rritur me 4% në 108,943 dollarë të hënën në mëngjes. Monedha ka shënuar fitime të konsiderueshme që nga fitorja e Trump në zgjedhjet në nëntor.
Monedhat meme përdoren për të krijuar popullaritet për një trend apo lëvizje virale në internet, por atyre u mungon vlera e brendshme dhe janë investime jashtëzakonisht të paqëndrueshme.
Por, disa entuziastë të kriptove e përshëndetën lëshimin e monedhës meme Trump, duke thënë se ishte simbolike e mbështetjes së presidentit të ardhshëm për një industri që u vendos në shënjestër nga administrata Biden.
Trump ka premtuar se do të sjellë rregullore miqësore për industrinë e kriptove dhe ka zgjedhur mbështetës të tyre në postet kryesore të administratës së ardhshme.
