Kandidati i PDK-së për deputet, Ferat Shala ka qenë sot në Poklek për të pritur ish-ambasadorin William Walker.
Shala ka thënë se Pokleku do të mbetet përherë në kujtesë si një nga dhimbjet më të mëdha të popullit në rrugën drejt lirisë.
“Në Shtëpinë Muze të Poklekut, ishte për vizitë edhe emri që i dha jehonë në botë vuajtjes sonë si popull, ambasadori William Walker. Kjo shtëpi është një vend kujtimi i përhershëm për 53 civilët e masakruar më 17 prill 1999. Nuk u kursyen as fëmijët dhe të moshuarit nga fushata kriminale e çetnikëve serbë”, ka thënë Shala.
“Sado e vështirë të jetë e kaluara jonë si popull, kujtesa jonë kolektive asnjëherë nuk duhet të harrojë kontributin e z. Walker për lirinë tonë dhe sakrificën e gjithë viktimave të luftës, të cilët me gjakun e tyre formësuan rrugën tonë drejt lirisë”, ka thënë ai.
