Një furgon i zi me tabela diplomatike të Shqipërisë do të “sigurojë” bartjen e fletëvotimeve të diasporës nga Evropa për në Kosovë, për zgjedhjet e 9 shkurtit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë edhe zyrtarisht ka dështuar për të siguruar një transport të sigurt dhe transparent për bartjen e materialeve votuese.
Pasi kishte vendosur që kundërligjshëm t’ia jap tenderin kompanisë “AL Dushi”, KQZ-ja ka vënë në rrezik sigurinë e rreth 105 mijë votave të diasporës, të cilat pritet të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Paparaci ka siguruar fotografi dhe video ekskluzive nga transportimi i fletëvotimeve nga Gjermania e Zvicra për në Kosovë.
Fletëvotimet do të barten përmes një furgoni të zi, i cili mban targa diplomatike të Republikës së Shqipërisë, ndërsa nuk dihet se si do të sigurohet transparenca dhe siguria e këtyre fletëvotimeve.
Për më shumë se 1800 kilometra, e më shumë se 19 orë rrugë, fletëvotimet e diasporës dhe fati i qytetarëve të Kosovës për liderin e tyre do të jetë në dorë të shoferit dhe ndihmësit të tij.
Lidhur me mënyrën e transportimit të fletëvotimeve, i shqetësuar ka reaguar edhe sekretari organizativ i AAK-së për diasporë, Sokol Mehmetaj.
“Si mund të sigurohemi që këto vota, të ruajtura në një automjet në tranzit, të mos manipulohen ose ndryshohen gjatë këtij udhëtimi të gjatë? Rreziku i mashtrimit është i lartë dhe kjo vë seriozisht në pikëpyetje besimin e publikut në procesin zgjedhor”, shkroi ai ndër tjerash.
Ai thotë se është e pakuptueshme që KQZ “zgjodhi një transport rrugor kaq të rrezikshëm, kur zgjidhjet më të sigurta dhe më të shpejta, si dërgimi me rrugë ajrore, ishin kryesisht të realizueshme”.
“Transporti ajror jo vetëm që do të kishte siguruar shpërndarje më të shpejtë, por edhe siguri më të mirë të votave, duke ulur ndjeshëm mundësitë e manipulimit”, shkroi ai.
Për zgjedhjet e 9 shkurtit afro 105 mijë qytetarë nga diaspora janë regjistruar për të votuar.
