Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, votave të personave jashtë Kosovës, do të bëhet në një fazë të mëvonshme.
Sipas Valmir Elezit, zëdhënës në KQZ, numërimi i tyre do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pasi të përfundojnë numërimet në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Për numrin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, ju njoftoj se së shpejti do të kemi të dhënat për secilën komunë veç e veç. Ndërkaq siç e kemi përmendur edhe më herët, për votimin jashtë Kosovës ishin regjistruar 104 mijë e 924 shtetas dhe sipas të dhënave preliminare, numri i votave në përfaqësitë diplomatike është 15 mijë e 352 nga 20 mijë e 324. Lidhur me pjesën tjetër të votimit nga jashtë Kosovës, në kutitë postare të KQZ-së janë pranuar 68 mijë e 712 pako me fletëvotime. Numri i votuesve të regjistruar për votim përmes postës ishte 84 mijë e 600”, ka thënë Elezi.
Sipas Elezit, këto fletëvotime fillimisht do të verifikohen.
“Pakot me fletëvotime i nënshtrohen fillimisht procesit të vlerësimit, i cili përfshin verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara. Ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet gjithashtu në një fazë të mëvonshme në QNR”, ka shtuar ai.
