Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Prokuroria Speciale po mashtron me çështjen e dëshmisë së kryeministrit Albin Kurti për një lëndë të keqpërdorimit të detyrës.
Para dy javësh, Prokuroria Speciale parashtroi kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për lëshim të urdhërëses për paraqitje të kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar në prokurori.
Haxhiu, në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën, tha se Kurti nuk ka refuzuar asnjëherë që të dëshmojë për rastin për të cilin është ftuar.
“Sa i përket thirrjes së Prokurorisë Speciale, unë e kam thënë edhe më herët, kryeministri Kurti asnjëherë nuk e ka refuzuar kërkesën që të jap dëshminë e tij. Kryeministri Kurti i ka ftuar prokurorët që të vijnë në zyrën e tij në Kryeministri që të japë dëshminë e tij, por që siç duket Prokuroria Speciale nuk është e interesuar që të marrë dëshminë e tij”, tha ajo.
“Unë nuk e di se si saktësisht Prokuroria Speciale i është referuar gjykatës për këtë rast. Nëse Prokuroria Speciale ka thënë se kryeministri Kurti refuzon të japë dëshmi, atëherë kjo është gënjeshtër, sepse kryeministri Kurti nuk ka refuzuar që të japë dëshmi”, theksoi ministrja e Drejtësisë.
Haxhiu tha se Prokuroria Speciale mund të ketë mashtruar në kërkesën drejtuar gjykatës.
“Unë mendoj që nëse Prokuroria Speciale i është drejtuar kështu gjykatës, atëherë e ka mashtruar gjykatën. Nëse ka thënë se po refuzon, atëherë unë mendoj se ky është mashtrim sepse kryeministri nuk ka refuzuar asnjëherë që të japë dëshminë e tij”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, Prokuroria Speciale po përdoret si mjet politik në përpjekje për të dëmtuar qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje.
“E vetmja çështje është lokacioni. Prandaj, më duhet të them që sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës, kurrë më i lirë nuk ka qenë nga ndikimi politik. Ama, më duhet sërish ta them, se kurrë më politik nuk ka qenë. Duke qenë se nuk kanë mundur të na ndalin me veprime në kuvend opozita, ose dikush nga analistët në studio televizive, kanë zgjedhur të tentojnë të na ndalin me Prokurorinë Speciale”, tha Haxhiu.
“Pavarësisht përpjekjes së tyre për të na dëmtuar, nuk kanë arritur të na ndalin”, përfundoi ajo.
