Kryeministri irlandez, Micheal Martin, ka hapur mundësinë e dërgimit të një kontigjenti simbolik të trupave të Dublinit në Ukrainë, duke pasur parasysh numrin e reduktuar të ushtrisë, si pjesë e një plani paqeje për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë, i cili përfshin vendosjen e një force paqeruajtëse.
Kryeministri e tha këtë në samitin anglo-irlandez me homologun e tij britanik, Keir Starmer, të planifikuar për sot në Liverpool, ku do të përfshihen edhe anëtarë të rëndësishëm të qeverive të dy vendeve, me qëllim rinisjen e lidhjeve të ngushta mes Londrës dhe Dublinit.
“Nëse do të kishte një armëpushim ose nëse luftimet marrin fund, Irlanda është e gatshme të marrë pjesë në ruajtjen e paqes, por jo në parandalimin e saj”, tha Martin.
Ndër të tjera, qeveria e re irlandeze, e cila ka ringjallur aleancën midis dy partive kryesore të së djathtës ”Fianna Fail” dhe ”Fine Gael”, po diskuton mbi ngjarjet ndërkombëtare dhe pikën e kthesës që solli administrata e re amerikane e Donald Trump, duke rishikuar mekanizmin aktual, të quajtur “blloku i trefishtë”, i cili kërkon miratimin e Kombeve të Bashkuara për dërgimin e trupave të Republikës në operacione të ruajtjes së paqes jashtë vendit.
Kjo temë është shumë delikate nga pikëpamja politike, pasi ky mekanizëm konsiderohet si një nga themelet e neutralitetit ushtarak irlandez.
Samiti i sotëm, i pari që kur qeveria laburiste e Starmer mori detyrën në korrik, do të njoftojë bashkëpunime të reja për prodhimin e energjisë në det të hapur midis dy vendeve, si dhe 185,5 milionë paund investime irlandeze në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat do të krijojnë më shumë se 2.500 vende pune.
