Protestat masive të fundit të udhëhequra nga studentët në Serbi kanë treguar se bashkëpunimi i BE-së me presidentin Aleksandar Vuçiq është thellësisht i gabuar. BE-ja duhet të kuptojë se Vuçiqi më nuk mund të ofrojë stabilitet, shkruan EU Observer.
Vuçiq ka gëzuar mbështetje relative nga Bashkimi Evropian që kur erdhi në pushtet në vitin 2014. Kritikat ndaj regjimit të tij kanë qenë të heshtura pavarësisht shtypjes së lirisë së medias, manipulimit të rezultateve të zgjedhjeve përmes “mbushjes së kutive” dhe importimit të votuesve nga Bosnja fqinje, marrëdhënieve të ngushta me Kinën dhe Rusinë dhe mungesës së përparimit në marrëdhëniet me Kosovën, shkruan tutje ky portal, përcjell Paparaci.
Ndërsa BE-ja i injoroi këto çështje për të ruajtur stabilitetin politik në Ballkan duke punuar me Vuçiqin, politologët e kanë etiketuar në mënyrë satirike regjimin e Vuçiqit si një “stabilokraci”. Heshtja relative e BE-së ndaj protestave të fundit ka qenë shurdhuese për liberalët dhe pro-evropianët.
Regjimi i supozuar i qëndrueshëm i Vuçiqit është më i dobët se kurrë. Liberalët pro-evropianë dhe ultranacionalistët pro-rusë marrin pjesë në mënyrë të barabartë në protesta.
Presidenti i Serbisë dhe partia e tij PPS, gjoja një parti e qendrës së djathtë, humbi edhe fermerët serbë. Ai humbi edhe veteranët e ushtrisë. Zgjedhja që ka Vuçiq është e qartë – të zbatojë reforma reale dhe të humbë pushtetin ose të bëhet edhe më autoritar, më pro-rus dhe pro-kinez dhe ta kthejë Serbinë në një Bjellorusi ballkanike.
Ekziston një mënyrë e qartë për diktatorët autoritarë për të forcuar popullaritetin e tyre – duke filluar një luftë. Këtë e pamë me Putinin, si dhe plagët e luftërave të viteve 1990 janë ende të freskëta në Serbi.
Madje është e besueshme se trazirat qytetare brenda Serbisë do të ishin përhapur edhe në vendet fqinje, duke pasur parasysh se në to ka pjesëtarë të pakicave serbe.
Nëse BE-ja angazhohet për demokraci, dhe jo vetëm për litium, ajo së shpejti duhet të marrë një qëndrim të ri në Serbi. Mbështetja për Vuçiqin nuk është më mbështetje për stabilitet, nëse ka qenë ndonjëherë./Paparaci.com
