Komiteti Olimpik i Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se ka kërkuar sqarime nga UEFA lidhur me skandalin e ndodhur në Beograd, ku Kosova u paraqit pa simbole shtetërore në Kongresin e 49-të të UEFA-s.
KOK-u e ka cilësuar të turpshëm veprimin në Beograd, duke kërkuar sqarime shtesë nga UEFA.
Në reagimin e tyre, KOK ka bërë të ditur se federatat kosovare janë të barabarta në të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe, si të tilla, duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt në çdo ngjarje sportive.
Reagimi i plotë:
Komiteti Olimpik i Kosovës shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për veprimin e papranueshëm të heqjes së flamurit të Republikës së Kosovës nga ambientet e Kongresit të UEFA-s, i cili u mbajt në Beograd të Serbisë.
Edhe më shqetësues dhe i turpshëm është fakti që flamuri i vendosur në mesin e flamujve të shteteve tjera përfundoi në duart e huliganëve, të cilët më pas e dogjën përpara ambienteve ku po mbahej Kongresi.
Ky akt përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj simboleve shtetërore të Kosovës, por edhe ndaj vlerave themelore të sportit: respektit, barazisë dhe përfshirjes.
KOK kërkon sqarime nga organizatori i Kongresit, në këtë rast UEFA, për heqjen dhe djegien e flamurit, e njëkohësisht kërkojmë marrjen e masave të mikpritësit të këtij Kongresi, i cili sipas pamjeve të publikuara edhe gjatë punimeve të Kongresit u përfshi në aktet e heqjes së flamurit.
Kosova dhe institucionet tona sportive janë anëtare të barabarta në të gjitha organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe, si të tilla, duhet të trajtohen me dinjitet dhe respekt në çdo ngjarje sportive, pavarësisht se kush është vendi mikpritës.
