Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar ndaj përgjigjes së presidentes Vjosa Osmani në letrën e Avni Deharit se si të procedohet me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Osmani në letër ka porositur se deputetët nuk duhet të pengojnë por të mundësojnë formimin e institucioneve.
Ndërkaq, këtë përgjigje ka mirëpritur Abdixhiku që ka cilësuar joligjike pyetjen e Vetëvendosjes drejtuar presidentes.
“E mirëpres përgjigjen e Presidentes ndaj pyetjes jologjike të partisë së parë”, ka thënë Abdixhiku.
“Siç dhe paralajmëruam me Komunikatë, Seanca Plenare nuk mbahet peng e tekeve bllokuese e intencës ofenduese të partisë së parë. Dramat eventualisht bien; me to dhe zhurma që provohet të bëhet propagandë”, ka thënë ai.
Sipas kryetarit të LDK-së, seanca plenare mbahet me detyrim brenda 48 orëve; “siç u paralajmërua edhe vendimi ynë si Grup Parlamentar”.
Ai ka thënë se LDK do të vazhdojë të sillet në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës dhe sëkëndejmi të vet Republikës. Ai ka shtuar se këtë punë kanë deputetët e vendit.
“Nesër, sërish, përfaqësuesit tanë do të kërkojnë dorëheqjen e gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë. Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike! Republika mbi të gjitha”, ka thënë ai.
