Jo më larg se para një muaji Fatmir Limaj ishte partneri më i afërt i Ramush Haradinajt.
Situata ka ndryshuar në mënyrë drastike brenda muajit, që prej certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, bashkë me dy deputetët e tij, u distancua nga partneri i koalicionit të cilin e la me pesë deputetë, të pamjaftueshëm për formim të Grupit Parlamentar në legjislaturën e nëntë.
Por, Haradinaj e ka gjetur zgjidhjen për formimin e Grupit Parlamentar. E ka zëvendësuar Limajn me Adem Hodzën, kryetarin e Partisë Unike Gorane.
Deputeti i pakicave jo-serbe, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës të martën, u ul pranë deputetëve të AAK-së, ndaras nga deputetët e pakicave jo-serbe, të cilët u vendosën në rend në ulëset e zakonshme të caktuara për këtë grup.
Të enjten, para vazhdimit të seancës konstituive, Haradinaj e konfirmoi afrimin e Hodzës në Grupin Parlamentar të ardhshëm të AAK-së.
Haradinaj tha se “duket se deputeti Adem Hodza i është bashkuar AAK-së”, por theksoi se mbetet që ky i fundit ta konfirmojë personalisht.
