Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka marrë pjesë të dielën në festën e Pashkëve Ortodokse në Patriarkanën e Pejës, ku ka uruar besimtarët e Kishës Ortodokse Serbe.
Liturgjinë e ka shërbyer patriarku serb Porfirije. Së bashku me Muhaxherin, ishin në vizitë edhe drejtorët komunal Jenet Sika, Nita Panduri Mullarama dhe Petrit Loshi.
“Ne nuk mund të bëjmë pa njëri-tjetrin. Askush nuk mund të bëjë pa tjetrin, pavarësisht se si dhe në çfarë mënyre i lutet Zotit, pavarësisht se ku ka lindur, pavarësisht nëse është i famshëm, i njohur apo i panjohur, pavarësisht nëse është i ditur apo i paditur”, ka thënë patriarku serb, transmeton Paparaci.

Më herët gjatë qëndrimit në Pejë, patriarku serb ka deklaruar se Patriarkana e Pejës është “vend që bashkon, jo që përjashton”. Ai ka thënë se Patriarkana ka qenë qendër shpirtërore dhe kulturore e serbëve shekuj me radhë.
Duke raportuar për këtë vizitë, manastiri i Deçanit ka kumtuar se prania e autoriteteve vendore të Kosovës në festën më të madhe të krishterë u mirëprit ngrohtësisht dhe ishte një shenjë e dukshme e vullnetit të mirë.
“Gjeste të tilla kontribuojnë dukshëm në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare në Kosovë. Duke respektuar traditat fetare të të gjitha komuniteteve, udhëheqja lokal mund të luajë një rol kyç në ndërtimin e besimit, respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës paqësore”, ka kumtuar manastiri./Paparaci.com
