Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, i cili sot ftoi për bojkot të produkteve të korporatës Devolli, para katër vitesh dyshohej për kanosjen e një zyrtareje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Rama, në janar të vitit 2021, dyshohet se e kishte kërcënuar zyrtaren ligjore të Arkivit të Sekretariatit të KQZ-së.
Zyrtarja e kishte shpjeguar rastin në një ankesë dërguar Kryeshefit Ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së, tregon një dokument i publikuar më 2021 nga portali Indeksonline.
Ajo, në ankesë, pretendonte se Rama i kishte kërkuar që t’ia dërgonte kërkesën e dërguar në Këshill Prokurorial në lidhje me personat që kanë të drejtë të marrin pjesë në lista zgjedhore. Ishte koha kur për shkak të Ligjit për Zjgedhjet, Albin Kurti nuk ishte certifikuar për të kandiduar në zgjedhjet e shkurtit 2021.
Sipas ankesës, ajo i kishte thënë Ramës se këtë duhej ta bënte në formë zyrtare përmes emailit apo në forma të ndryshme përmes udhëheqësve në Sekretariatin e KQZ-së. Rama, atë kohë ishte përfaqësues i LVV-së në KQZ.

Pas këtij momenti, sipas ankesës së zyrtares së Sekretariatit të KQZ-së, Rama kishte nisur kërcënimet.
“Unë kam me kall këtë zyrë, nëse nuk mi jepni dokumentet.. Kam me jav nxi jetën më shumë në këtë institucion…”, pretendon ajo të kenë qenë fjalët e Alim Ramës.
Të hënën, Alim Rama, tash në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të LVV-së, i ftoi qytetarët që të bojkotojnë produktet e korporatës Devolli.
Rama ftoi qytetarët në bojkot pas publikimit të një dokumenti identifikues të Shkëlqim Devollit, aksionarit kryesor të korporatës, në të cilin Peja figuron si qytet në Serbi.
