Dy të mitur ishin të dyshuar për djegien e bredhit të Vitit të Ri në oborrin e Komunës së Hanit të Elezit më 28 dhjetor të vitit 2023, një incident i cili dyshohet të jetë i ndërlidhur me rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik.
Një burim brenda hetuesisë i ka thënë të hënën Paparacit se motivi i vrasjes së rreshterit Lika ndërlidhet me këtë rast. Rreshteri Lika e kishte arrestuar njërin nga të dyshuarit për këtë rast në dhjetorin e vitit 2023 në Kaçanik, tha i njëjti burim.
Nuk ka të dhëna zyrtare për këtë rast, përveç një deklarimi të kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit në fillimin e vitit të kaluar, rreth dy tri javë pas djegies së bredhit të Vitit të Ri.
Mehmet Ballazhi, kryetar i Hanit të Elezit, kishte thënë vitin e kaluar se disa persona, përfshirë edhe dy të mitur dyshoheshin për këtë ngjarje.
Tutje, ai shtonte se njëri nga personat që mori pjesë në djegien e bredhit ka pasaportë suedeze dhe ka shkuar atje.
“Ne kemi bashkëpunu me institucionet e drejtësisë për t’i identifikuar është arrestuar personi dhe ka pasur histori radikalizmi. Në mesin e të dyshuarve janë edhe 2 të mitur. Ne kemi kërkuar edhe nga BIK-u në Han të Elezit që të reagojnë lidhur me këtë çështje dhe kemi pasur një takim me ta. Është dashur të dilet me një reagim, jo për diçka tjëtër por vetëm të ndahen aktet e dhunës dhe mospajtimi me këto akte të dhunës”, kishte deklaruar Ballazhi në një deklarim në emisionin “Kallxo Përnime” më 12 janar të vitit 2024.
Policia e Kosovës nuk e ka konfirmuar raportimin e Paparacit të martën. Nuk ka ofruar të dhëna nëse njëri nga të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika ka qenë i përfshirë në incidentin e djegies së bredhit të Vitit të Ri.
Në përgjigjen zyrtare, Policia e Kosovës tha se për rastin e ekzekutimit të rreshterit tashmë “janë bërë publike informacionet zyrtare”.
“Lidhur me rastin në fjalë, janë bërë publike informacionet zyrtare (përmes komunikatës dhe konferncës së përbashkët), të cilave mund ti referehoheni”, tha Zyra për Informim e Policisë së Kosovës në një përgjigje me shkrim për Paparacin të martën.
Në përgjigjen e Policisë thuhet se organet e rendit dhe të drejtësisë kanë ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme për trajtimin e rastit të vrasjes së rreshterit Lika.
“Policia e Kosovës së bashku me organet e drejtësisë, sipas procedurave të parapara ligjore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtim, hetim dhe procedim të mëtejm të rastit”, tha Policia.
Një i mitur, i cili i mbushi 18-vjeç të hënën, dyshohet se e ekzekutoi me armë zjarri rreshterin Muhamed Lika në Kaçanik të martën e 1 prillit.
I dyshuari R.B. u arrestua bashkë me gjashtë persona të tjerë, të moshës madhore, nën dyshimin për planifikimin, organizimin dhe vrasjen e rreshterit Lika.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se rreshteri Lika “ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste”.
Derisa po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në konferencën për media në Ferizaj të hënën, Hoxha përmendi dy raste: pamfletet e dhjetorit të vitit 2023 dhe djegien e Gjykatës Themelore në Kaçanik më 2024.
“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe pastaj ka punuar në mbështetje të hetimeve të Policisë për zbardhjen e rasteve të mëhershme. Do të thotë, këta janë persona të dyshimtë të cilët kanë qenë më herët të arrestuar për pamfletet dhe djegien e Gjykatës”, tha Hoxha.
Bredhi i Vitit të Ri i vendosur nga autoritetet publike në oborrin e Komunës së Hanit të Elezit në fundin e vitit 2023, ishte djegur në orët e para të mëngjesit të 28 dhjetorit.
