Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar ngrirjen e punës së Kuvendit si të dëmshme dhe të papranueshme për vendin.
Pacolli ka theksuar se mosfunksionimi i Kuvendit nuk po shkakton vetëm pasoja politike dhe institucionale, por edhe dëme ekonomike.
“Është për të ardhur keq çfarë po ndodh në Kuvendin e Kosovës. Ngrirja e punës po i shkakton vendit jo vetëm pasoja politike e institucionale, por edhe dëme ekonomike të qëllimshme – çdo seancë e dështuar kushton nga taksat tona”.
Ai theksoi se është e padrejtë që deputetët që bllokojnë punën e Kuvendit të vazhdojnë të marrin paga dhe mëditje.
“Deputetët që bllokojnë punën nuk duhet të paguhen për këtë! Të fillojmë nga një kërkesë e thjeshtë dhe e drejtë: pa punë, pa rezultat – nuk ka mëditje!”, deklaroi ai.
