Rusia po ndërton linja elektrike në zonat e pushtuara në juglindje të Ukrainës për të lidhur me rrjetin e saj një central bërthamor të madh të cilin e ka pushtuar, sipas një raporti të ri të organizatës Greenpeace.
Është prova më e qartë e synimit të vazhdueshëm Moskës për të rivënë në funksion dhe shfrytëzuar objektin, pavarësisht thirrjeve për të adresuar statusin e centralit bërthamor në bisedimet e paqes.
Objekti, termocentrali bërthamor i Zaporizhzhias, u pushtua nga Rusia në fillim të luftës në një veprim që është dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Afërsia e saj me luftimet në vijën e parë të frontit ka ngritur frikën për një fatkeqësi të mundshme bërthamore dhe ekspertët kanë paralajmëruar kundër çdo përpjekjeje për të rikthyer në funksion centralin në kushtet aktuale.
Raporti i Greenpeace, të cilin e ka publikuar sot The New York Times, përfshin imazhe satelitore që tregojnë se, që nga fillimi i shkurtit, Rusia ka ndërtuar më shumë se 50 milje linja elektrike dhe shtylla midis qyteteve të okupuara ukrainase të Mariupolit dhe Berdyanskit, përgjatë bregut të detit Azov.
Greenpeace tha se projekti synon të lidhë linjat e reja të energjisë me një nënstacion të madh pranë Mariupolit që ishte i lidhur me centralin bërthamor të Zaporizhzhia, rreth 140 milje më larg në perëndim.
“Plani i Putinit për rikthimin në funksion të centralit bërthamor të Zaporizhzhia varet nga sigurimi i linjave të reja të transmetimit të energjisë elektrike – kjo është prova e parë fizike e këtyre planeve”, tha në një deklaratë Shaun Burnie, një specialist bërthamor në Greenpeace Ukraine.
Planet e plota të Moskës mbeten të paqarta. Ka dyshime nëse ajo kërkon të rikthejë energjinë e centralit për Ukrainën pasluftës apo ta bëjë këtë ndërkohë që luftimet janë ende duke u zhvilluar.
Në secilin rast, vërejnë ekspertët, Rusisë do t’i duhet të ndërtojë disa linja të tjera për të lidhur uzinën e Zaporizhzhia me rrjetin e saj, një proces që do të kërkonte kohë.
Ndërtimi i fundit i linjës së energjisë tregon se Rusia nuk synon vetëm të mirëmbajë centralin, por gjithashtu dëshiron ta shfrytëzojë atë për të fuqizuar rrjetin e saj.
E ndërtuar gjatë epokës sovjetike, objekti i Zaporizhzhia është kompleksi më i madh i energjisë bërthamore në Evropë. Gjashtë reaktorët e tij mund të gjenerojnë deri në gjashtë gigavat energji elektrike – mjaftueshëm për të furnizuar, për shembull, të gjithë Portugalinë.
Fabrika ndodhet në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit jugor të Zaporizhzhias në Ukrainë, në afërsi të vijave të frontit, duke e bërë të pamundur funksionimin e sigurt. Të gjashtë reaktorët u mbyllën gradualisht pasi Rusia pushtoi Zaporizhian, me mbylljen e të fundit në vitin 2023.
