Petrit Hajdari e ka shpallur kandidaturën për kryetar të Komunës së Drenasit.
Kandidati për deputet që mori mbi 16 mijë vota në zgjedhjet parlamentare, ka thënë se do ta deponojë në Këshillin Drejtues të PDK-së kandidaturën e tij për kryetar.
“Rrugëtimit tim politik me Partinë Demokratike të Kosovës, të nisur me strukturat rinore dhe me vizionin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, po ia shtoj një kapitull të ri. Ky kapitull buron drejtpërdrejt nga kërkesa e madhe qytetare, nga dialogjet e panumërta me secilin prej jush dhe nga vota e fuqishme, masive dhe e papërsëritshme që mora në Drenas më 9 shkurt”, ka thënë ai.
“Kam vendosur, duke u bazuar në rregulloren e miratuar me vendim nga Këshilli Drejtues, pika 4 e vendimit, ta deponoj kandidaturën për kryetar të Komunës së Drenasit”, ka thënë ai.
Hajdari ka deklaruar se e ndan bindjen e fortë që “hallin e qytetarit të Drenasit, nuk e kam veç unë por e ka edhe PDK-ja jonë”.
“Prandaj, me dashamirësi ndaj projektit tonë të përbashkët, i bëj thirrje përulësisht e me respekt të thellë kryesisë dhe kryetarit të PDK-së që ta konfirmojnë kandidimin tim”, ka thënë ai.
Hajdari u kandidoi për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ai fitoi 16 mijë vota.
