Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kritikuar punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për moszbatimin e agjendës legjislative.
Ish-drejtori i Policisë tha se asnjëherë MPB-ja nuk ka pasur përqindje kaq të ultë të hartimit të legjislacionit.
“Jo-kompetenca dhe keqmenaxhimi i Ministrit të Punëve të Brendshme mund të vërehet edhe nga zbatimi apo thënë më mirë jo-zbatimi i programit legjislativ për vitin 2021. Nga 13 projektligjet e planifikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme për vitin 2021 vetëm 2 projektligje janë miratuar nga Qeveria, që i bie se vetëm 15% e programit legjislativ është zbatuar. Kjo është përqindja më e ulët ndonjëherë për MPB, e cila në të kaluarën shquhej për hartim të legjislacionit dhe politikave”, ka shkruar ai.
Sipas Qalaj ministri Xhelal Sveçla nuk ka arritur të procedojë projektligji për Pagat dhe për Zyrtarët Publik.
“Nga fusha e administratës publike, ministri Svecla ka dështuar që të procedoj 2 projektligje tejet të rëndësishme, projektligji për Pagat dhe për Zyrtarët Publik. Ndërsa në fushën e sigurisë, nuk ka arritur që të miratoj në Qeveri asnjë projektligj, edhe pse shumica e tyre ishin thuajse të finalizuara para se ministri të fillonte mandatin”.
Qalaj tha se më shqetësuese është fakti që ministri nuk e ka planifikuar fare projektligjin për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policor, ndërsa në paraqitje publike ka përmendur disa herë që ky ligj do të miratohet.

