Martin Berisha është marrë të enjten në pyetje në cilësinë e të dyshuarit për veprat penale të shpëlarjes së parave, shmangies nga tatimi dhe mosdeklarimi i pasurisë.
Intervistimi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, është zhvilluar në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, tha sot Prokuroria një një deklaratë.
“Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z.Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga Tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, citohet të ketë thënë një zëdhënëse e Prokurorisë Speciale, shkruan sot Gazeta Express.
Për intervistimin e tij ka njoftuar edhe avokati i Berishajt, Tomë Gashi.
Ai ka deklaruar se ambasadori ka dhënë “deklaratë sqaruese”, duke shtuar se ajo do të ndihmojë për “të eliminuar çdo dyshim për aferën e ndërtuar nga gazetari serb”.
Ambasadori Berishaj është intervistuar nga prokurorët specialë për të njëjtën çështje penale edhe në muajin mars të vitit të kaluar.
Ai dyshohet se nëpërmjet kompanisë së tij, “MB Consulting”, me filial në Mal të Zi, ka bërë transaksione të dyshimta me elemente të shpëlarjes së parave.
Po ashtu, dyshohet se veprimtaria e biznesit “MB Consulting” të ambasadorit Berishaj, është kryer duke iu shmangur tatimeve në Kosovë për pesë vite me radhë.
