Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës po përballet me një krizë të thellë, për të 39‑ën herë ka dështuar seanca për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.
Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, as të dielën nuk pati ndonjë ndryshim sa i përket qëndrimeve të partive politike.
Taborët politikë i kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit duke thënë se po shkelet Kushtetuta.
E megjithëse vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme politike, deputetët e zgjedhur duket se nuk do të bëjnë as përpjekjet më të vogla që vendi të dal nga kjo situatë, duke marrë parasysh se tash edhe përfundon sesioni pranveror i Kuvendit.
Në kalendarin zyrtar të punës së Kuvendit të Kosovës, sesioni pranveror përfundon më 31 korrik.
Kjo është hera e parë që ky sesion e gjen Kuvendin e Kosovës të pa konstituar, e në mungesë të kësaj deputetët nuk pritet që ta kenë pushimin e zakonshëm deri në vjeshtë.
Sipas nenit 66 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, e cila ka filluar me 15 prill 2025, por nuk ka përfunduar. Referuar nenit 12, paragrafi 5 të Rregullores se Kuvendit të Republikës së Kosovës: “Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Nga drejtoria për media e institucionit legjislativ, kanë treguar se si i parasheh rregullorja dy sesionet e punimeve brenda vitit.
“1. Kuvendi zhvillon punën në dy sesione: 1.1. Sesioni Pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar dhe përfundon në fund të muajit korrik. 1.2. Sesioni Vjeshtor fillon të hënën e dytë të muajit shtator dhe përfundon në fund të muajit dhjetor. 2. Kuvendi, ndërmjet dy sesioneve, mund të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme”, thuhet nga Kuvendi.
