I arrestuari për trafik të kokainës dhe heroinës, Shemsi Bahtiri është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës javën e kaluar.
Paparaci ka mësuar se Bahtiri, i cili po mbahet në paraburgim nga 4 qershori, është lënduar në këmbë gjatë një shëtitje në parkun e burgut.
Ngjarja ka ndodhur mesin e javës së kaluar, raporton Paparaci.
Ai është transferuar për trajtim mjekësor në Klinikën e Ortopedisë, ka mësuar Paparaci nga burime të informuara mirë për ngjarjen.
Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk e ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e Bahtirit në QKUK. ShKK nuk ka kthyer përgjigje në kërkesën e Paparacit për konfirmim.
Shemsi Bahtiri, një ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ra në pranga më 3 qershor të këtij viti. Ai u arrestua në Prishtinë gjatë një operacioni të koduar nën emërtimin “Qielli i Thyer”. Ai dyshohet për pjesëmarrje në një grup kriminal të heroinës dhe kokainës, si dhe të shpëlarjes së parave.
I dyshuar për të njëjtat vepra penale është edhe djali i tij, Brilant Bahtiri, i cili ndodhet në arrati.
Paparaci raportoi dy javë më parë për sekuestrimin e një veture luksoze Lamborghini Urus në pronësi të Brilant Bahtirit. Vetura e sekuestruar nga njësiti anti-drogë i Policisë së Kosovës kapte vlerën e mbi 300.000,00 eurove.
Operacioni “Qielli i Thyer” u realizua më 3 qershor të këtij viti me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Të gjithë personat e arrestuar në aksionin masiv të Prokurorisë dyshohet se veprat penale i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC” dhe “EncroChat”, dy platforma të koduara të komunikimeve. /Paparaci.com
