Veterani i UÇK-së, Agim Plashniku që iu afrua deputetes Fitore Pacolli për t’ia dorëzuar një faturë të kafesë dhe më pas u përplas me të, ka ngritur kallëzim penal ndaj saj për sulm fizik dhe deklarim të rrejshëm se ai ka pasur armë gjatë atij momenti.
Policia e Kosovës të premten e ka cilësuar si “kanosje” përplasjen e Plashnikut me deputeten e VV-së dhe ai ishte shoqëruar në polici dhe pas më shumë se dy orësh ishte liruar.
Ngjarja ndodhi pasi ai iu afrua tavolinës ku po qëndronte deputetja dhe i ofroi të paguante faturën e saj, duke e akuzuar publikisht për korrupsion.
“Duhet me të ardhë marre që po e vjedh Kosovën. A të kujtohet kur i thojshje hajna, tash i ke ba miliardat”, dëgjohet duke thënë qytetari në një video që qarkulloi gjerësisht në rrjete sociale.
Mirëpo sipas kallëzimit penal që e ka siguruar Paparaci, thuhet se deputetja e kishte kapur për dore Plashnikun.
“Sepse me datën 25.07.2025 pranë një kafeterie te Komunën e Prishtinës këtu Fitore Pacolli dhe asistenti i tij sulmojnë fizikisht qytetarin keëu palën e dëmtuar Agim Plashnikun ku ngjarja ka rrjedhur në momentin kur Agim Plashniku pasi që iu afrohet deputetes Fitore Pacolli në mënyrë te qetë dhe të kulturar (video-incizimi) qytetari Agim Plashniku në gjest simbolik për të shprehur indinjaten me rrethanat politike te vendit dhe korupsionin e madh që po e mbretëron vendin i afrohet deputetes dhe i thotë “apo ma paguan edhe mua faturën” pra ky gjest simbolik drejtuar deputetes Fitore Pacolli ishte për faktin se ajo ishte e përfshire në një skandal te korruspionít e që skandali është publikuar në çdo portal dhe gjithë qytetarët janë njoftuar për këtë skandal dhe në atë moment Fitore Pacolli ngritet në këmbe i afrohet qytetarit Agim Plashniku dhe e kap për dore duke ngritur zërin dhe piskamën se unë ty nuk te tutem dhe mepas qytetarit Agim Plashnikut i afrohet edhe asistenti i. Fitore Pacollit i cili e shtyën fizikisht qytetarin duke pasur kontakt fizik pra janë incizimet provat materiale dhe dëshmitaret e rastit këtu si personeli i Avokatit te Popullit vet Naim Qelaj i cili ka qenë dëshmitar okular i rastit që do ta dëshmoj situatën e sulmit”, thuhet në kallëzimin penal ndaj deputetes së VV-së.
Në këtë kallëzim penal thuhet se deputetja Pacolli ka akuzuar qytetarin se kishte armë, por pas kontrollit policia nuk i kishte gjetur asgjë.
“Sepse me datën 25.07.2025 këtu Fitore Pacolli duke ditur se e njëjta është deputete dhe bart përgjegjësi publike në raport me sjelljen me qytetarët dhe me institucionet e vendit e njëjta bën deklarim të rrejshëm qe me rastin e paraqitjes se saj ne polici dhe nëpërmjet mjeteve te informimit se e njëjta është kanosur me armë nga ana e qytetarit Agim Plashnku duke deklaruar se ai “ ka pasur një çantë afër tij” kjo duke aluduar ne armë por pasi që Agim Plashniku është shoqëruar në polici dhe si rrjedhojë është kontrolluar i gjithë trupit çanta aty nuk është gjetur armë”, thuhet aty.
Sipas tyre, me këtë Pacolli ka bërë denoncim të rrejshëm dhe lajthitur institucionet e vendit, por edhe veprën penale të sulmit e sanksionuar sipas Kodit Penal të Kosovës.
Avokati i Plshnikut, Gent Gjini në një deklaratë për Paparacin, ka thënë se deputetja Pacolli e ka sulmuar fizikisht klientin e tij.
“Pasi që jam avokat i angazhuar nga Agim Plashniku, kemi ndërmarrë hapat ligjor dhe kemi përgatitur kallëzimin penal kundër Fitore Pacollit, ku e njëjta kishte sulmuar qytetarin në një kafiteri në Prishtinë, duke u ngritur në këmbë dhe iu vërsulur atij”, ka thënë avokati Gjini.
“Po ashtu asistenti i saj në këtë çështje është i involvuar pasi që edhe ai ka pasur kontakt fizik me qytetarin disa herë, pra kjo është vepër penale e sulmit, në anën tjetër nëpërmjet kallëzimit penal, ajo duhet të ngarkohet edhe me veprën penale të kallëzimit të rremë për denoncimin e rrejshëm pasi që kishte deklaruar në Facebookun e saj si dhe në polici se Agim Plashniku ka pasur armë në çantë”, ka thënë avokati për Paparacin.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, kishte reaguar pas përplasjes.
Pacolli, tha se sulmi ndaj saj nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar.
“U përballa me një akt të rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal nga një person i quajtur Agim Pllashniku. Ky individ njihet në publik dhe nga autoritetet për të kaluarën e tij të dhunshme. Ky sulm nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar.
“Videoja që po qarkullon në rrjetet sociale është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, të cilat ishin të pranishme në vendngjarje. Gruaja është e punësuar në institucionin e Avokatit të Popullit, ndërsa vajza pritet të jetë kandidate për Asamblenë Komunale nga radhët e PSD-së”, tha ajo.
Sipas saj qytetari ka sulmuar fizikisht asistentin e saj.
