Të fundit

Thellohet skandali i Mervan Bejtullahut – Përparim Hasani e delegoi nipin e tij në Evropë

Futbolli i Kosovës është turpëruar për shkak të një gabimi amatoresk të gjyqtarit kontravers të Superligës, Mervan Bejtullahu. Ai ka shkaktuar skandal në referimin e një ndeshje të Ligës së Konferencës. Por, faji nuk është ekskluzivisht i tij. Bashkëfajtor në këtë gabim trashanik është edhe FFK-ja, përmes delegimit të gjyqtarëve në baza nepotiste. 

Federata e Futbollit e Kosovës, më saktësisht kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve në FFK, Përparim Hasani, ka shkaktuar një skandal të paprecedent. E ka deleguar si gjyqtar të katërt në një ndeshje ndërkombëtare nipin e tij, Rrezart Hasani, me dy lojë të gjykuara në Superligë.

Hasani, i cili ka mungesë të theksuar të përvojës në Superligën e Kosovës, me propozimin e xhaxhait të tij ishte deleguar si ndihmës (gjyqtar i katërt) në ndeshjen ndaj Gyro – Pyunik Yerevan.

Pikërisht në këtë ndeshje, gjyqtari Mervan Bejtullahu shkaktoi skandal, duke mos e përjashtuar nga loja një futbollist me dy kartonë të verdhë në ndeshjen e Ligës së Konferencës mes hungarezëve të Gyor dhe armenëve të Pyunik Yerevan.

Në minutën e 90-të të ndeshjes së kthimit, mbrojtësi kroat Daniel Stefulj shënoi golin e dyfishimit të epërsisë për Gyorin në 3-1, e cila ia siguroi skuadrës hungareze kualifikimin në raundin e tretë të garës.

Stefulj e hoqi fanellën nga gëzimi dhe më pas mori kartonin e verdhë të zakonshëm nga Bejtullahu. Disa minuta më vonë, futbollisti i njëjtë e goditi me shqelm në kokë një lojtar të Pyunyik-ut gjatë një dueli në minutën e 90+5-të, përpara se gjyqtari kosovar t’i tregonte Stefuljit kartonin e dytë të verdhë.

Megjithatë, Bejtullahu nuk e nxori Stefuljin nga fusha.

Në video-incizime shihet Bejtullahu duke kërkuar ndihmë nga gjyqtari i katërt, nipi i Përparim Hasanit, Rrezarti. Dukshëm i hutuar, Bejtullahu shihet edhe duke “kërkuar ndihmë” nga vetë futbollistët në fushë.

Futbollisti 25-vjeçar i Gyorit ishte paksa i pandershëm, sepse kur Bejtullahu e pyeti nëse i kishte dhënë një karton të verdhë para katër minutash, ai bëri me gisht nga shoku i tij i skuadrës në pozicionin e mbrojtësit të majtë, Deian Boldor, kësisoj, duke e mashtruar Bejtullahun.

Kartoni i dytë, edhe në protokollin e UEFA-s, iu shënua futbollistit Deian Boldor.

Rrezart Hasani, djali i vëllait të shefit të gjyqtarëve në FFK, Përparim Hasani, kishte debutuar në Superligë më 2 mars të këtij viti. Ai ishte deleguar si gjyqtar kryesor në ndeshjen mes Dritës e Ferizajt.

Pas kësaj ndeshje, ai kishte drejtuar edhe ndeshjen mes Malishevës e Suharekës, duke e mbyllur sezonin me dy ndeshje të gjykuara.

Numri i ndeshjeve nuk ishte problem për Hasanin. Dy ndeshjet në elitën e futbollit kosovar kanë mjaftuar që ai të jetë pjesë e katërshes që ndan drejtësinë në arenën ndërkombëtare.

Si shkak i papërvojës së tij dhe neglizhencës së gjyqtarit të shumëkritikuar Bejtullahu, katërshja kosovare pritet të mungojnë për një kohë të gjatë në futbollin ndërkombëtar. Në rrezik është edhe stema e FIFA-s të cilën e posedon Bejtullahu. Ai, tash e disa vjet është njëri ndër gjyqtarët më të përfolur në Superligën e Kosovës.

Në këtë sezon, Bejtullahu e kishte dëmtuar me tri pikë skuadrën e Gjilanit duke ia mohuar dy penallti Gjilanit në një ndeshje kampionale, megjithatë ai ishte deleguar pas disa javëve pushim. Asnjë sanksion i shqiptuar ndaj tij nuk ishte publikuar nga FFK-ja. Besohet se kjo ishte bërë për ta mbrojtur atë dhe stemën e tij të FIFA-s. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci