Jana Arsovska, bashkautorja me Dimal Bashën për “hulumtimin” skandaloz kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte shkruar edhe një libër në vitin 2015.
Në librin “Dekodimi i krimit të organizuar shqiptar”, kishte falënderuar edhe profesorin e Juridikut dhe ish-ministrin e FSK-së e ish-deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Demollin.
Demolli në një sqarim për Paparacin, ka pranuar se ka bashkëpunuar me Arsovskan në dy projekte kur ajo ishte e angazhuar në Universitetin e Leuvenit në Belgjikë.
Ai ka përmendur se ka bashkëpunuar me fakultetin e Leuvenit për librin “Restoring Justice after Larg-scale Violent Conflicts”, në të cilin kanë qenë redaktorë Ivo Aertsen, Jana Arsovska, Holger C Rohne, Marta Valinas dhe Kris Vanspauwen.
“Kam pasur dy projekte, një punim më herët kur ka qenë ajo në Belgjikë në Universitetin e Leuvenit. Projekti i dytë ka qenë zbatimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit në Trojet Shqiptare. Kemi angazhuar dy studente për intervista me kosovarë se sa zbatohet Kanuni i Lekë Dukagjinit në Kosovë”, ka thënë Demolli për Paparacin.
Demolli ka thënë se me Arsovskan nuk ka kontakt që prej vitit 2009 kur ai vendosi të hynte në politikë.
“Herën e fundit që jam dëgjuar me të ka qenë diku në vitin 2009 dhe 2010, pata mbledhur materiale për krimin e organizuar serb, sidomos për trafikantët e drogës në Spanjë. Në komunikim ajo ka qenë korrekte dhe nuk ka pasur ngarkesë nacionaliste”, ka thënë Demolli, i cili nuk ka dashur të komentojë punimin e Arsovskas me Bashën.
Jana Arsovskas nuk i kishte mjaftuar “hulumtimi” shkencor në bashkautorësi me Dimal Bashën i publikuar në vitin 2012 që të shkruante pretendime se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e lidhur me krimin e organizuar e drogën.
Arsovska pretendimet e saja se UÇK-ja ishte financuar pjesërisht nga operacionet me drogën i kishte shkruar në një libër me kapituj kushtuar kundër UÇK-së. Në fakt, shumë prej pretendimeve në këtë libër janë marrë nga “hulumtimi” shkencor që e kishte shkruar me Bashën.
Tre vjet pas hulumtimit me titull “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transnacional, Islami Fondamental dhe Aleancat e Padrejta”, Arsovska kishte shkruar librin “Decoding Albanian Organized Crime” (Dekodimi i krimit të organizuar shqiptar), në të cilin kishte lidhur UÇK-në me botën e krimit. Për realizimin e këtij libri ka falënderuar tani kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Bashën, i cili ka pretenduar se nuk e ka lexuar “hulumtimin” shkencor kundër UÇK-së teksa është arsyetuar se e kishte shkruar vetëm kapitullin e tretë.
Arsovska kishte shkruar një kapitull me titull “Ana e errët e UÇK-së”. Këtu ajo kishte shkruar se për shkak se UÇK-ja nuk përkrahej zyrtarisht nga ndonjë shtet, është dashur të mbështetej në burime të tjera alternative për fonde. Edhe këtu kishte shkruar me hamendeshim duke përdorur frazën “seems to” në gjuhën angleze. Përkthyer në gjuhën shqipe i bie: “duket se” që është hamendësim.
“Pjesa më e madhe e financimit për UÇK-në duket se vjen nga dy burime: operacionet në lidhje me drogën dhe shqiptarët e Kosovës të zhvendosur në Perëndim”, shkruan Arsovska duke cituar dy burime.
