Ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar para themelimit të saj Gjykatën Speciale.
Murati është pyetur rreth procesit gjyqësor dhe dëshmisë së ish-ndihmësit të sekretares së ShBA-ve, James Rubin në Gjykatën Speciale.
Ai ka thënë se Vetëvendosje nga fillimi ka pasur një qëndrim kundër Gjykatës Speciale dhe sipas tij kjo është dëshmuar edhe në procesin e votimit, kur deputetët e VV-së kishin votuar kundër.
Sipas tij, qeverisjet pasluftës janë një temë tjetër, ndërsa lufta është diçka tjetër.
“Vetëvendosje ka qenë konsistente sa i përket Gjykatës Speciale, e kemi kundërshtuar qysh në fillim, është dëshmuar edhe në procesin e votimi. Sot po i shohim problemet dhe se nuk qëndron ajo që është thënë. Ne shpresojmë, besojmë dhe urojmë në pafajësinë që gjykata të nxjerrë verdiktin e pafajësisë për të gjithë ata që po gjykohen atje dhe të kthehen këtu. Pastaj janë çështje të tjera çfarë ka ndodhur gjatë qeverisjeve. Ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së”, ka thënë Murati në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë në detyrë.
Ministri në detyrë i financave është kritikuar për qasjen e qeverisë në detyrë në raport me Gjykatën Speciale, duke i krahasur reagimet e kërcënimet që akterë të VV-së bëjnë pothuajse zakonisht ndaj gjyqtarëve të të gjitha instancave të gjyqësorit në Kosovë.
Por, sipas Muratit, VV-ja e ka kundërshtuar kur ka qenë koha Gjykatën Speciale.
“LVV edhe pa qenë në qeveri e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale kur ka qenë koha, kemi bërë lutje kemi bërë kërkesa. Si opozitë kishim paralajmëruar këto që po ndodhin, kundërshtimi është bërë kur ka qenë koha dhe kur ka qenë nevoja. Jemi akuzuar se jemi kundër Kosovës. Qëndrimet tona kanë qenë konsitente gjatë gjithë kohës”, ka thënë Murati.
