Të fundit

Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit

Zyra e Prokurorit të Specializuar e udhëhequr nga prokurorja Kimberly West ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin në rastin në të cilin së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në kërkesën e dorëzuar më 22 shtator 2025, Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se Thaçi ka kryer vepra penale që bien në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Për ta mbështetur këtë arsyetim, Prokuroria është bazuar edhe në vendimin për konfirmimi e aktakuzës në këtë rast. Sipas tyre, asnjë rrethanë tjetër nuk ka ndodhur që prej atij vendimi që mund ta ndryshojë këtë përcaktim.

Për Thaçin, Prokuroria thotë së është i vetëdijshëm për akuzat serioze të konfirmuara ndaj tij dhe se ai e di që në rast që shpallet fajtor, do të dënohet me burgim të gjatë. Përveç kësaj, Prokuroria, rrezikun e arratisjes së Thaçit e arsyeton edhe me akuza e konfirmuara ndaj tij që lidhen me administrimin e drejtësisë.

Përveç kësaj, Prokuroria thotë se Thaçi paraqet rrezik jashtëzakonisht të lartë për të penguar procedurat në këtë proces dhe se përfundimi i çështjes së Prokuroria dhe mbrojtësit të viktimave nuk e zhduk këtë rrezik.

Sipas Prokurorisë, dëshmitarët mbeten të rrezikuar që të ndikohen edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre; si përpjekje për hakmarrje, ose nxitje për të tërhequr dëshminë apo përpjekje për të ndërhyrë në procedura paralele.

Gjithashtu, Prokuroria përmend edhe pretendimet e saj se Thaçi ka shkelur edhe urdhrat gjyqësor duke nxjerrë informacione konfidenciale lidhur me procedurat dhe dëshmitarët tek persona të tjerë.

“Për më tepër, klima e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë vazhdon, të cilën Gjykata e Apelit e ka pranuar si një “rrethanë kontekstuale” të rëndësishme. Gjetje të ngjashme janë bërë në Aktgjykimin ndaj Mustafës dhe në Aktgjykimin e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj. Paneli Gjyqësor në rastin Gucati dhe Haradinaj konsideroi se “mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje aktive dhe kritike në Kosovë”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë.

Përveç kësaj, Prokuroria u mbështet edhe në dëshminë e ekspertit të mbrojtjes në çështjen ndaj Gucatit dhe Haradinajt, Robert Reid, i cili kishte theksuar se në mbi 20 vite në fushën e tij, nuk kishte parë kurrë frikësim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, kjo klimë e frikësimit të dëshmitarëve vazhdon të ekzistojë në Kosovë edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre duke iu referuar edhe raportimeve në media në Kosovë.

Kërkesën e saj për vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit, Prokuroria e mbështetë edhe me arsyetimin se i akuzuari ka rrezik të kryejë edhe vepra të tjera penale.

Si rrjedhojë, Prokuroria thotë se asnjë prej kushteve alternative nuk i zbusin rreziqet ekzistuese në këtë proces dhe se vazhdimi i paraburgimit ndaj Thaçit është i arsyeshëm dhe proporcional.

Ndryshe, mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci