Të fundit

Ismajli i ashpër me pushtetin në Gjilan: Vendimi i pamatur po rëndon xhepin e qytetarëve

Kandidati i LDK-së për Gjilanin, Arbër Ismajli ka thënë se qytetarët e Gjilanit janë të detyruar të marrin rrugën afro 3 kilometra larg qytetit, vetëm për të kryer shërbimet e tyre bazike në administratën komunale!

Sipas tij, ky është realiteti absurd që e ka krijuar pushteti aktual, duke e zhvendosur administratën komunale në objektin e Shkollës së Agrobiznesit në Lagjen e Vishnjeve.

“Ky vendim i pamatur po rëndon xhepin e qytetarëve, të cilët çdo ditë shpenzojnë kohë e para shtesë për të arritur atje. Nuk janë vetëm qytetarët, por edhe vetë zyrtarët komunalë që ndihen të fyer dhe të indinjuar nga kjo papërgjegjësi, pasi u është shtuar kostoja për të shkuar në vendin e punës”, ka thënë Ismajli.

“Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kemi ankesa të ashpra nga qytetarët, që tash e dy javë nuk po arrijnë të kryejnë asnjë shërbim në drejtoritë përkatëse, veçanërisht në Drejtorinë e Kadastrit, për shkak të kushteve të mjerueshme për punë”, ka thënë ai,

Ai ka thënë se ndërkohë që qytetarët vuajnë, dhe bashkë me zyrtarët paguajnë kosto shtesë për të shkuar çdo ditë në punë dhe për të kryer shërbime, kryetari i komunës po kujdeset vetëm për komoditetin e vet.

“Ai, në vend se të mendojë për qytetarët, po ushtron presion të vazhdueshëm mbi institucionet e trashëgimisë kulturore dhe mbi drejtorinë e shëndetësisë, vetëm e vetëm për t’i siguruar vetes një zyrë luksoze në zemër të qytetit”, ka thënë Ismajli.

“Ky është kulmi i egoizmit politik që qytetarët të lihen rrugëve, ndërsa pushteti shikon vetëm akomodimin e tij. Ky është modeli më i qartë i një qeverisje që nuk mendon aspak për qytetarët, që nuk pyet për hallet e tyre, që nuk ka asnjë ndjeshmëri për buxhetin dhe kohën e njerëzve të këtij qyteti”, ka thënë ai.

“Ne e themi qartë dhe ky është zotimi ynë premtues që puna jonë e parë do të jetë që kjo padrejtësi do të marrë fund. Që në muajin e parë të qeverisjes sonë, e gjithë administrata komunale do të rikthehet në zemër të qytetit, aty ku i takon të jetë afër qytetarëve dhe në shërbim të tyre”, ka thënë ai.

“Gjilani nuk do të qeveriset më nga njerëz të dështuar, që pushtetin mendojnë si privilegj personal, dhe jo si shërbim ndaj qytetarëve. Koha e papërgjegjësisë politike ka mbaruar. Po vjen koha e përgjegjësisë, e llogaridhënies dhe e ndryshimit të domosdoshëm”, ka thënë Ismajli.

“Ju do ta keni një qeverisje që punon për ju, jo kundër jush. Dhe këtë ndryshim do ta bëjmë të gjithë bashkë, të besatuar për Gjilanin tonë”, tha ai.

 

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci