Kandidati për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Andi Belegu, ka ndarë një reflektim emocional për Kurrizin, një nga hapësirat më të njohura e simbolike të kryeqytetit, duke e përshkruar atë si zemrën e dikurshme të jetës rinore dhe kulturore të qytetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Belegu ka kujtuar rrëfimet e prindërve të tij për periudhën kur Kurrizi ishte vendtakimi i rinisë prishtinase dhe simbol i rezistencës qytetare.
“Prindërit e mi më kanë treguar shumë për Kurrizin. Për netët kur rinia e Prishtinës jetonte natën si formë rezistence. Për kafet e vogla, për muzikën që dëgjohej me zë të ulët, për shoqëritë që nuk i ndante as frika,” ka shkruar ai.
Sipas Belegut, Kurrizi ka qenë dikur “zemra e qytetit”, një hapësirë ku lindnin ide, miqësi, dashuri dhe debate që e gjallëronin Prishtinën. “Aty ku sot ecim para dyqaneve të lëna në mëshirë të kohës, dikur janë ndarë ëndrra, plane, dashuri e debate që mbaheshin gjatë gjithë natës,” ka shtuar ai.
Duke iu referuar renovimit të fundit të tunelit të Kurrizit, Belegu ka theksuar se jeta e vërtetë e këtij vendi nuk ka qenë kurrë nën tokë, por në hapësirën e lirë, në kontaktin e njerëzve dhe në energjinë rinore që e karakterizonte atë periudhë.
“Jeta kulturore e tij nuk është zhvilluar kurrë në tunel. Ajo ka qenë gjithmonë jashtë, nëpër lokalet, nëpër biseda, në frymën e lirë që ka mbajtur gjallë Prishtinën,” ka shkruar Belegu, duke përfunduar me fjalët:
“Kurrizi nuk është thjesht një vend. Është kujtesa e një kohe kur qyteti jetonte me shpirt, dhe ku rinia e tij e sfidonte errësirën me dritë.”
