Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thirrur nesër seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit nëpërmjet së cilës synon të nxjerrë një rezolutë të përbashkët rreth çështjes së referendumit të Serbisë në Kosovë. Kurtit gjatë kësaj seance do t’i duhet edhe mbështetja e opozitës. Mirëpo, që nga ardhja në pushtet kreu i Qeverisë dhe deputetët e tij nuk kanë miratuar asnjë nga rezolutat që janë propozuar nga partitë opozitare.
Më 20 maj të vitit të kaluar Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri kishte propozuar një rezolutë, nëpërmjet së cilës kërkohej që shtesat për skemat pensionale dhe sociale, personelin shëndetësor dhe zyrtarët policorë të kthehen në shumën paraprake.
Kjo rezolutë nuk kishte marrë votatat e mjaftueshme në Kuvend, kjo sepse vetëm 22 deputetë kishin votuar për, kurse 56 të tjerë kundër dhe një deputet kishte abstenuar, raporton Paparaci.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ishte drejtuar Kuvendit të Kosovës edhe një herë më 18 nëntor të vitit të kaluar me rezolutën për projektin e gazsjellësit.
Deputetët e Kuvendit në seancën e 18 nëntorit kishin diskutuar për rreth 6 orë, rreth kësaj rezolute madje kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte kërkuar një konsultë paraprake për të gjetur konsensus brenda grupeve parlamentare.
Pavarësisht këtij debati dhe përpjekjeve të kësaj partie, as kjo rezolutë ishte miratuar, kjo sepse vetëm 21 deputet kishin votuar për, kurse 46 kishin votuar kundër.
Këto nuk ishin rezolutat e vetme që nuk kaluan në Kuvendin e Kosovës. Më 8 gusht të vitit të kaluar as rezoluta e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nëpërmjet së cilës kërkohej zbatimi i marrëveshjes së Washngtonit nuk kishte kaluar.
Pro kësaj rezolute kishin votuar 24 deputetë të opozitës, kurse 57 deputetë të pushtetit kishin abstenuar, shkruan Paparaci.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë pasur po të njëjtin fat sikurse partitë e tjera opozitare. Qershorin e vitit të kaluar rezoluta e kësaj partie kishte mbetur të diskutohej në një seancë tjetër, kjo për shkak se kjo parti nuk kishte kuorumin e mjaftueshëm
Për tu përballur me rezolutën e PDK-së për rimëkëmbje ekonomike në seancë i pranishëm ishte vetëm ministri i Financave, Hekuran Murati. Edhe kjo rezolutë disa ditë më pas kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme në Kuvend.
Vetëm 14 deputetë të Kuvendit të Kuvendit të Kosovës kishin votuar pro kësaj rezolute. Ndërkaq, 59 të tjerë kishin votuar kundër, raporton gazeta online Paparaci.
Kjo nuk është rezoluta e vetme e kësaj partie që dështoi të kaloj në Kuvendin e Kosovës. Tetë muaj më parë as rezoluta e PDK-së në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet gjatë pandemisë COVID-19 nuk kishte kaluar.
Rezoluta e kësaj partie kishte marrë vetëm 27 vota për, kurse 50 të tjera kishin qenë kundër, përcjell Paparaci.
Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për media tashmë ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur nga kryeministri, Albin Kurti. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë seancë.
Ndërkohë që Paparaci nga burimet ka mësuar se deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhen nesër në orën 13:00 për të vendosur se a do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme.
Ndonëse janë deklaruar se nuk do marrin pjesë në seancë, PDK-ja ka mbështetur qëndrimin e krerëve të vendit për mos lejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë. Mbështetje kundrejt qëndrimit të krerëve të vendit është dhënë edhe nga ana e AAK-së dhe LDK-së.
Gjatë së premtes partnerët ndërkombëtarë kanë bërë presion ndaj institucioneve të Kosovës që të lejojnë organizimin e këtij referendumi./Paparaci.com
