Të fundit

“Bashkimi Evropian, politikën ndaj Kosovës e ka lënë në autopilot”

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura më 2023 pas tensioneve në veri, po kritikohen gjithnjë e më shumë si të pajustifikuara dhe të dëmshme për procesin e integrimit evropian. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë ndërkombëtarë thonë se kushtet që dikur i arsyetonin ato, tashmë nuk ekzistojnë.

“Besojmë se tani nuk ka asnjë kusht që i arsyeton masat kundër Kosovës. Me mbajtjen e zgjedhjeve, serbët kanë përfaqësuesit e tyre politikë në nivel lokal dhe qendror. Kjo, në njëfarë forme, shënon rikthimin e jetës politike normale të komunitetit serb në Kosovë,” tha për Radion Evropa e Lirë Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Ky grup është një nga 12 organizatat e shoqërisë civile që javën e kaluar i kërkuan BE-së zyrtarisht heqjen e masave ndaj Kosovës, duke argumentuar se ato po e pengojnë integrimin evropian të vendit, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Nga Bashkimi Evropian ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete. Një zëdhënëse konfirmoi vetëm se letra e organizatave është pranuar, pa dhënë detaje nëse heqja e masave është në shqyrtim.

Masat e BE-së përfshijnë ngrirjen e një pjese të fondeve dhe pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me zyrtarët kosovarë. Ato u vendosën pas përshkallëzimit të situatës në veriun e Kosovës dhe veprimeve të qeverisë që Brukseli i cilësoi si “të pakoordinuara”.

Një nga projektet e prekura është ai i zgjerimit të ngrohjes qendrore në Prishtinë. “Termokos” konfirmoi se granti prej mbi 17 milionë eurosh nga BE-ja mbetet i pezulluar, duke bllokuar përfitimet për lagje si Prishtina e Re, Kalabria, Mati 1 dhe Rruga C.

Sipas një raporti të Institutit GAP, masat ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 613 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra, ndërsa 7 milionë euro janë humbur përfundimisht. Më të goditurit janë sektorët e mjedisit, energjisë, digjitalizimit dhe kulturës.

Analisti Toby Vogel nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit në Bruksel thotë se BE-ja ka lënë politikën ndaj Kosovës në “autopilot”. “Aktualisht nuk ka udhëheqje të qartë për çështjen e Kosovës. Askush nuk dëshiron të investojë kapital politik në një temë që shihet si e parëndësishme,” tha ai për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Vogel vlerëson se masat kanë qenë të padrejta që nga fillimi, sidomos duke pasur parasysh se Serbia nuk është përballur me masa të ngjashme, edhe pse ndaj saj ekzistojnë dyshime për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë më 2023.

Megjithatë, mbështetja e qytetarëve të Kosovës për rrugën properëndimore mbetet e fortë. Një sondazh i Institutit Ndërkombëtar Republikan tregon se 85 për qind e kosovarëve mbështesin orientimin pro-BE, krahasuar me vetëm 9 për qind në Serbi.

Sipas Gërgit, një pjesë të fajit për vazhdimin e masave e mbajnë edhe institucionet vendore, të cilat kanë qenë për muaj të tërë jofunksionale. “Pesha kryesore bie mbi institucionet shtetërore. Nëse ato janë me mandat të kufizuar, kjo domosdo ndikon në politikën e jashtme,” tha ai.

Në vizitën e saj më 15 tetor në Prishtinë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke theksuar rëndësinë e uljes së tensioneve dhe ndërtimit të institucioneve të forta.

Vogel parashikon se heqja e masave mund të ndodhë vetëm pasi të formohet një qeveri e re dhe stabile në Prishtinë. “Në Bruksel aktualisht ekziston qëndrimi ‘të presim e të shohim’. BE-ja pret zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë përpara se të marrë ndonjë vendim të rëndësishëm,” tha ai.

Në prill, komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se shtetet anëtare nuk janë ende unanime për heqjen e masave. Për një vendim të tillë kërkohet konsensusi i të 27 vendeve të BE-së, përfshirë pesë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kosova, ndërkohë, mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për anëtarësim në BE. Aplikimi i saj, dorëzuar në fund të vitit 2022, ende nuk është shqyrtuar.

Sipas Gërgit, prioriteti tani duhet të jetë funksionalizimi i institucioneve për të nisur një fushatë lobimi në qendrat evropiane. “Por topi, në fund të fundit, mbetet në anën e Bashkimit Evropian – për të vendosur nëse do ta shpërblejë Kosovën, apo do ta mbajë sërish në pritje,” përfundon ai.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci