Shkruan: Eshref Shabani
Shoqëria njerëzore që nga fillimet e para të organizimit është përpjekur të bëjë rregulla të paracaktuara me qëllim të ekzistencës.
Me zhvillimet historike, në fazat e njohura të njerëzimit, njeriu i kohës moderne ka zhvilluar rregulla të paracaktuara sipas të cilave njerëzit kanë vendosur të sillen, duke i respektuar ato me qëllim të funksionimit të një rendi të paracaktuar dhe të parashikuar.
Ndër kushtetutat e para moderne në literaturë konsiderohet Kushtetuta e SHBA-ve e vitit 1787, e cila ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin historik të mëtejshëm të kushtetutave në botë.
Prof. dr. Kurtesh Salihu në librin E Drejta Kushtetuese, Libri 1, fq. 45, Prishtinë 2021, shkruan:
“Që nga shekulli XVIII deri më sot, përveçse në disa vende, në periudha të caktuara, në vendet me rend të zhvilluar shtetëror, Kushtetuta është trajtuar si dokument themelor juridiko-politik i vendit.Si ligj mbi ligjet, si akt juridik e politik, ajo ka funksione të rëndësishme.Ajo është akt i formimit dhe i organizimit të shtetit, përkatësisht të pushtetit politik të tij.Ajo përmban parimet themelore mbi organizimin e shtetit dhe të pushtetit politik, parime këto mbi të cilat mbështetet funksionimi i tij dhe ruajtja e raporteve të caktuara politike e shoqërore.”
Me fjalë të thjeshta: Kushtetuta përcakton organet më të larta shtetërore, ndarjen e pushteteve dhe balancin mes tyre – siç janë Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.Secili prej këtyre organeve ushtron pushtetin në bazë të autorizimeve kushtetuese, dhe është i obliguar të veprojë në harmoni të plotë me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Akademik Arsim Bajrami në librin E Drejta Kushtetuese (Prishtinë 2018, fq. 119) thotë:
“Rendi kushtetues është aplikimi praktik i një kushtetute të miratuar.Përkatësisht, jetësimi në praktikë i një ‘kushtetute në letër’ është pikërisht një rend kushtetues.”
Unë nuk pretendoj të bëj pjesë në elitën intelektuale, sepse ky është një term i gjerë që edhe sot interpretohet.
Por unë mendoj që ne zanatlinjtë kemi për obligim ta themi të vërtetën ashtu siç është — e bardha mbi të zezën.
Është tjetër gjë nëse të lexon masa apo të përçmon.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu thoshte:
“Unë, edhe vetëm një lexues të kem, vazhdoj të shkruaj.”
Pse e ashtuquajtura “Qeveri në detyrë”?
Sepse më datë 09.02.2025 në Republikën e Kosovës janë zhvilluar zgjedhjet parlamentare, ndërsa më 27.03.2025 janë certifikuar zgjedhjet.
Neni 72 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se:
“Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj.”
Në qeverinë në dorëheqje janë hiq më pak se 11 deputetë, të cilët kanë dhënë betimin si deputetë të Parlamentit të Kosovës.
Kjo është shkelje e qartë e rendit kushtetues, sepse nuk zbatohet neni i lartpërmendur i Kushtetutës.
Këtë qeveri nuk e bën të ligjshme as Ligji Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, sepse:
Neni 26 i këtij ligji përcakton:
Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.”
Neni 31 i të njëjtit ligj kufizon qeverinë në dorëheqje, e cila:
• nuk mund të miratojë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi;
• nuk mund të miratojë projektligje, amendamente kushtetuese, strategji apo koncepte të reja;
• nuk mund të emërojë ose të propozojë zyrtarë të rinj të lartë publikë;
• përjashtimisht, mund t’i propozojë Kuvendit vetëm miratimin e buxhetit.
Vetë ligji është në kontradiktë mes nenit 31 dhe 26, prandaj ky vendim nuk do ta kalonte filtrin e vlerësimit të kushtetutshmërisë.
Por meqë ligji është në fuqi, vendimi i Qeverisë në dorëheqje për projektbuxhetin e Republikës së Kosovës është veprim kundër rendit kushtetues, pasi në vendimmarrje kanë marrë pjesë 11 deputetë, në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës.
Vendimet e Qeverisë në detyrë për:
• rritjen e pensioneve,
• “rrogën e trembëdhjetë”,
• pagën minimale,
• dhe skemat e tjera të mbrojtjes sociale, janë të pavlefshme dhe të pazbatueshme, për dy arsye: Qeverisë në detyrë i mungojnë autorizimet kushtetuese, sepse 11 “ministra” kanë votuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë, duke krijuar politika të reja jashtë buxhetit të miratuar.
Veprimet e organeve të larta kundër rendit kushtetues krijojnë ambient për “revolucion”, sepse janë veprime kundër Kushtetutës që është në fuqi.
Këto nuk janë reforma – sepse reformat bëhen me diskutim të gjerë shoqëror, politik dhe me përfshirje të ekspertëve e shoqërisë civile.
Këto veprime përbëjnë sulm jo të dhunshëm kundër rendit kushtetues, që hyjnë në kuadër të veprave penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autoritetit,tejkalim i kompetencave dhe përpjekje për ndikim te popullata për përfitime elektorale.
Ju mbetet qytetarëve të Republikës së Kosovës ta vlerësojnë veten:
A janë në mesin e 45% analfabetëve funksionalë (siç një parti politike i ka quajtur qytetarët e Kosovës),
apo mendojnë në mënyrë kritike, duke analizuar këto veprime në dritën e interesit të Republikës së Kosovës?
Siç thotë populli:
“Me shtet nuk ka hajgare.”
