Temperaturat jashtëzakonisht të larta kanë bërë që viti 2025 të jetë në rrugë për t’u renditur në mesin e viteve më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, thanë Kombet e Bashkuara më 6 nëntor, duke theksuar se ky trend ende ka gjasa të ndalet.
Këto zhvillime “nënkuptojnë se do të jetë praktikisht e pamundur të kufizohet ngrohja globale në 1.5 gradë Celsius në vitet e ardhshme pa kaluar përkohësisht objektivin e Marrëveshjes së Parisit”, tha shefja e Organizatës Botërore Meteorologjike, Celeste Saulo, duke i drejtuar liderët në Belem, në veri të Brazilit.
Marrëveshja e klimës e Parisit, e arritur më 2015, kishte për qëllim kufizimin e ngrohjes globale në më pak se dy gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, dhe deri në 1.5 gradë Celsius, nëse do të ishte e mundur.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, e ka cilësuar mosarritjen e qëllimit për temperaturën si “dështim moral”.
Duke folur në një konferencë për media në Gjenevë, shefi i shkencëtarëve të klimës në OKB, Chris Hewitt, tha se “ende nuk e dimë se për sa kohë do të jemi mbi 1.5 gradë Celsius”.
Por, udhëheqësit ende nuk kanë përmbushur zotimet nga Marrëveshja e Parisit.
Tashmë, vitet ndërmjet 2015 dhe 2025, individualisht kanë qenë më të nxehtët që kur ka nisur vëzhgimi i motit 176 vjet më parë, tha OKB-ja.
Vitet 2023, 2024 dhe 2025 janë në krye të listës.
Në të njëjtën kohë, përqendrimet e gazrave serë që mbajnë nxehtësinë në atmosferë dhe nxehtësia në oqeane vazhduan të rriten, duke arritur nivele më të larta se ato të vitit 2024, u tha në raport.
Raporti i OKB-së tha se ndikimi i rritjes së temperaturave mund të vërehet në shtrirjen e akullit në detin në Arktik, që pas ngrirjes gjatë dimrit të këtij viti, do të jetë më i ulëti i regjistruar ndonjëherë.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara gjithashtu përmendi ngjarje të motit ekstreme që ndodhën gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025, nga përmbytjet shkatërruese, te nxehtësia e ashpër dhe zjarret e egra, me “pasoja të rënda për jetën, jetesën dhe sistemet ushqimore”
