Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çështja e seancës për të votuar mandatarin për kryeministër, është në duart e deputetëve dhe Kryesisë së Kuvendit.
Osmani para mediave ka thënë se ajo është e gatshme të ofrojë edhe zgjidhjen në lidhje me pagat e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, por që nuk ka marrë asnjë përgjigje nga partitë politike për një gatishmëri të tillë, e pa çka u kërkoi gazetarëve që të bëhet një “presion pozitiv” partive politike, që të paktën të bëjnë diçka që është në interesin qytetarëve por edhe të shtetit.
“Siç e dini, i mandatuari i dytë për kryeministër akoma është brenda afatit kushtetues dhe do të varet nga deputetët dhe nga kryesia e Kuvendit se kur ftohet seanca. Siç e dini, seanca duhet të thirret brenda afatit kushtetues, pra kanë mbetur edhe pak ditë dhe shpresoj që kjo të bëhet sa më parë të jetë e mundur dhe të shohim rezultatin e kësaj seance. Mirëpo unë nuk mund ta paragjykoj”, tha Osmani pasi mori pjesë në Forumin “Nga Rezoluta në Veprim: 25 vjet që Gratë Transformojnë Paqen dhe Sigurinë në Kosovë”.
