Të fundit

Fitorja ndaj Andorrës, opsioni i vetëm për Shqipërinë

Kombëtarja e Shqipërisë është shumë pranë një tjetër suksesi historik. Pas dy paraqitjeve në Kampionatin Evropian, kuqezinjtë janë në garë për kualifikimin në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Për ta mbajtur gjallë ëndrrën e Botërorit, Shqipërisë i duhet domosdoshmërisht një fitore ndaj Andorrës. Ndeshja zhvillohet të enjten, nga ora 20:45, në Encamp, dhe është e parafundit në grupin kualifikues. Për të siguruar matematikisht pjesëmarrjen në plejof, Shqipërisë i duhet edhe një fitore e Anglisë ndaj Serbisë.

Përzgjedhësi i kuqezinjve, Sylvinho, në konferencën për media të mbajtur të mërkurën, ka paralajmëruar një ndeshje të vështirë kundër Andorrës, duke theksuar se kundërshtari është i fortë në mbrojtje.

“Trajneri i Andorrës e njeh shumë mirë ekipin e tij. Në lojën defensive është i organizuar mirë dhe rrallë pëson më shumë se dy gola. Edhe në Tiranë ishte e vështirë në fillim, por pasi shënuam golin e parë dhe të dytë, loja u hap. Është një ekip i vështirë për t’u mposhtur, por unë besoj se nesër do t’ia dalim ta fitojmë ndeshjen”, deklaroi Sylvinho.

Trajneri brazilian tha se lojtarët janë të motivuar për të shkruar histori të re në futbollin shqiptar.

“Jemi në një situatë që nuk e kemi pasur më herët në histori, shumë afër plejofit. Futbolli po bëhet më konkurrues, por ne po rritemi si federatë dhe si ekip. Shpresoj të kemi një ndeshje të mirë nesër”, shtoi ai.

Sylvinho la të kuptohet se kundër Andorrës mund të ketë disa ndryshime në formacion, madje edhe mundësinë e lojës me dy sulmues.

“Mund të ketë një sulmues më tepër, ndërtimi i lojës mund të ndryshojë, por gjithçka varet nga kundërshtari. E rëndësishme është që ekipi të ruajë qetësinë dhe disiplinën që e ka karakterizuar deri tani”, tha ai.

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, në fjalën e tij para mediave, u shpreh se ekipi do të hyjë në fushë vetëm për fitore.

“Kemi ardhur për një qëllim, të marrim pikët e plota. E dimë që Andorra është e vështirë, por do të japim maksimumin. Do ta respektojmë kundërshtarin, por duhet të jemi të fortë mentalisht për të arritur fitoren”, tha Gjimshiti.

Ai shtoi se beson fort në mundësinë që Shqipëria të kualifikohet për herë të parë në një Kupë Bote.

“Jemi në moment të mirë. Ndeshja e radhës është gjithmonë më e rëndësishmja. Nëse më pyesni tani, po – besoj se ëndrra për Botërorin është e mundur. Futbolli të jep mundësi dhe ne do ta provojmë”, deklaroi kapiteni.

Pas sfidës me Andorrën, Shqipëria do ta mbyllë ciklin kualifikues të dielën në Tiranë kundër Anglisë, e cila tashmë e ka siguruar vendin e parë në grup.

Aktualisht, Shqipëria renditet e dyta me 11 pikë, një më shumë se Serbia në vendin e tretë, ndërsa Letonia ka 5 pikë dhe Andorra vetëm një.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci