Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, thotë se ish u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka lëkundur besimin e publikut në sistemin prokurorial, me deklaratat e tij kinse për shantazh e presion, gjatë një konference për media.
Ai tha se Kelmendi ishte u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit dhe si autoriteti më i lartë në sistemin prokurorial ka pasur përgjegjësi dhe detyrim për të ndjekur gjitha rrugët ligjore ndaj kujtdo qoftë e jo të dalë në konferencë për shtyp për të shfaqur pretendime për presion, shantazh apo forma tjera joligjore.
“Sepse kësisoj nuk e ka kryer detyrën e tij sipas kushtetutës dhe ligjit por ka lëkundur besimin e publikut në sistemin prokurorial”, thotë Hajdaraj.
Besim Kelmendi ditë më parë gjatë një konference deklaroi se po sulmohet e kjo lidhet me kërkesa të papranueshme që, sipas tij, i janë bërë nga pronari i portalit Paparaci, Vehbi Kajtazi.
“Ai ka qenë te unë për të pasur përfitime për raste të caktuara që unë i kam pas në punë, për të bërë unë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për dobi të bizneseve që ai nuk e di në çfarë mënyre i përfaqëson. Kur e refuzova, ai më ka dërguar SMS duke më shantazhuar dhe për këtë ka qenë i njoftuar edhe Aleksandër Lumezi”, kishte deklaruar ai.
Kelmendi shtoi se e ka paditur Kajtazin për këto mesazhe, por nuk është kontaktuar lidhur me këtë rast.
Hajdaraj i bëri thirrje u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj që të shyqyrtojë gjitha pretendimet e Kelmendit për të trajtuar dhe hetuar përgjegjësinë e secilit person në këtë rast.
Ai po ashtu sqaroi largimin e anëtarëve të KPK-së nga takimi i fundit ku tha se ata erdhën të përgatitur për ta bllokuar këshillin.
“Nga qëndrimet e njëanshme dhe denigruese ndaj sistemit prokurorial të shprehura nga Kelmendi në takimet e këshillit dhe prooncimet për media, është zbehur ndjeshëm roli unifikues që i takon Kryeprokurorit të Shtetit në sistemin prokurorial si dhe ka cënuar besimin e publikut në sistemin prokurorial. Për këtë arsye kemi marrë vendimin për shkarkimin e tij nga kjo pozitë. Për shkak të këtyre arsyeve dhe arsyeve politike, sistemi prokurorial ka mbetur pa dekretimin e Kryeprokurit dhe me u.d. në këtë pozitë të rëndësishme për katër vjet.
Edhe sot ritheksojmë se në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe rrethanat e krijuara nga veprimet e tij kemi marrë vendim për shkarkimin e u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelemendi. Në vend të tij kemi caktuar Agron Qalaj. Ne mirëpresim qasjen e Kelmendit që të ndjek të gjitha rrugët ligjore për ta kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi. Ne duhet ti besojmë sistemit tonë gjyqësor për vendimet që merr përfshirë këtë çështje. Tentimi për të penguar punën e keshillit përbën sulm të drejtpërdrejtë në punën e këtij institucioni”.
