Dy prej hetuesve më të njohur të aferave korruptive ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë të pushtetit, Idriz Gashi dhe Shaip Elshani, janë degraduar nga Njësia e Veçantë Hetimore në pozita periferike.
Hetuesi Idriz Gashi ka qenë një nga figurat më të rëndësishme në Njësinë e Veçantë të Policisë që merret me hetimin e korrupsionit.
Gashi ishte pjesë e Task-Forcës që hetoi skandalin e Rezervave Shtetërore, për të cilin tashmë ekziston aktakuzë kundër ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dy zyrtarëve të MINT-it, Hafiz Gara e Irfan Lipovica dhe afaristit Ridvan Muharremi. Po ashtu edhe ai ka hetuar një pjesë të aferës së ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Hajdari dhe të tjerët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, duke i shkaktuar buxhetit dëm afër 3 milionë euro dhe duke favorizuar kompani turke e polake në procesin e prokurimit.
Afera u zbulua pas raportimeve të mediave në vitin 2023, dhe Gashi ishte hetuesi që e kishte inicuar rastin që nga ditët e para.
Gashi ishte pjesë e hetimeve edhe ndaj Nagip Krasniqit, ndaj të cilit ekzistojnë dy aktakuza, njëra për 3 milionë euro dhe tjetra për 37 milionë euro, me dëmin total të dyshuar rreth 40 milionë euro.
Atë që e nisi, nuk iu dha mundësia ta vazhdojë, pasi Gashi u largua nga ajo pozitë.
Rreshteri Gashi që ishte pjesë pjesë e Njësisë më të rëndësishme brenda Policisë që heton korrupsionin e profilit të lartë, u largua nga kjo njësi.
Si rezultat, edhe nuk mund të ishte pjesë e intervistimit të Rozeta Hajdarit për rastin e Rezervës Shtetërore, pavarësisht se gjithë hetimin, e kishte inicuar vetë, që nga ditët e para.
Sipas një vendimi, kjo vendimmarrje është arsyetuar me nevojat operacionale dhe rritjen e performancës. Si argument, është përdorur Udhëzimi Administrativ për Marrëdhënien e Punës në Policinë e Kosovës, ku neni 38, i jep kompetenca drejtorit të Policisë për transferimin e zyrtarëve policorë prej një vendi, në tjetrin. Megjithatë, asnjë arsye më shumë.
Por largimi i tij vjen pas një sërë ngjarjesh. Madje u synua edhe më herët.
Disa muaj më parë, në rrjete sociale u shpërndan disa fotografi, nëpërmjet të cilave pretendohej se rreshteri në Njësinë e Veçantë, Idriz Gashi, kishte marrë pjesë në një tubim të fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëvendosje nisi një fushatë agresive linçuese, ku u përfshin edhe deputetë e ministra.
Megjithatë, pamje të tjera që u publikuan më pas në media, vërtetuan se në ndejën ku ishte Gashi, nuk kishte qenë asnjë politikan. Megjithatë, ai u suspendua për pak ditë, u kthye në punë, dhe u suspendua sërish pa afat të caktuar.
Pas disa muajsh, u vërtetua se rreshteri nuk kishte qenë pjesë e asnjë tubimi politik, dhe si rezultat ishte kthyer në vendin e tij të punës, pra në Njësinë e Veçantë. Kjo ishte bërë e ditur nga avokati i tij, Arianit Koci.
Kurse hetuesi Shaip Elshani, kishte qenë pjesë e ekipës hetimore me numër 6, që drejtohej nga rreshteri Gashi, dhe e njëjta ishte shuar pas ‘reformave’ të fundit të nisura në këtë Njësi, kryesisht pas ndërrimit të pushtetit në Kosovë.
Tani, ai është dërguar si hetues në Malishevë – larg pozicionit që kishte në hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Kjo është pjesë e një zinxhiri largimesh të ngjashme, pasi rastet e Gashit dhe Elshanit nuk janë të vetmet.
Gjithçka filloi me largimin e Shemsi Hazirit, ish-udhëheqës i Njësisë së Veçantë.
Ish-udhëheqësi i Njësisë së Veçantë u përplas me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për hetimet ndaj Martin Berishaj.
Pas tij erdhi Besim Berisha – i afërt me ministrin Sveçla. Madje, edhe me fshatra prej nga ku e kanë prejardhjen, fqinj të afërt.
Listën e njerëzve të padëshiruar, pushteti po i zëvendëson me zyrtarë të besueshëm të partisë.
Kësisoj, Idriz Gashi është transferuar në Trafik, si mbikëqyrës i patrullës në Skenderaj. Shaip Elshani është dërguar si hetues në Malishevë.
Vendimet për degradimin në pozita të të dy hetuesve i ka marrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Paparaci ka siguruar dy vendimet. Ato janë nxjerrë në korrikun e këtij viti. Mbajnë firmën e drejtorit Gazmend Hoxha.
Pushteti ndëshkon hetuesit që zbuluan aferat e Qeverisë Kurti, i çon në trafik
