Hykmete Bajrami e LDK-së ka kritikuar sërish qeverinë në detyrë, për të cilën thotë se e mbajti vendin të bllokuar për 9 muaj dhe e çoi përsëri në zgjedhje.
Sipas saj, më 28 dhjetor, datë kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, vendi do të çlirohet nga, siç i quan ajo, “mashtruesit”.
“Nuk ju kalon as MASHTRIMI I RI se për krejt çka ka ndodhë e çka s’ka ndodhë në këtë vend Albin Kurti nuk ka faj, anipse për 4 vjet i pat krejt nivelet e pushtetit, e që 1 vit i ka uzurpuar ato. Kur ishin opozitë thoshin: “Kur të vijmë ne në Qeveri do bëjmë mrekullira….”
Sot, prej pesë vitesh, nga mëngjesi deri në mbrëmje përsërisin: “Na pengoj opozita, na bllokoj opozita”. Po qysh mundet me ju blloku opozita? Opozita është opozitë pikërisht sepse nuk i ka numrat, nuk e ka shumicën në Kuvend. Nuk është në Qeveri fare. E qysh po ju bllokon? Opozita nuk ju pengoi t’i ndërtoni 160 çerdhet. Opozita nuk ju pengoi ta lironi çmimin e energjisë. Opozita nuk ju pengoi ta hiqni TVSH-në nga produktet bazë. Opozita nuk ju pengoi të ndërtoni rrugë magjistrale, disa të nisura që para 7–8 vitesh. Opozita nuk e futi vendin nën sanksione. As nuk bëri që SHBA-ja ta ndërpresë dialogun e planifikuar strategjik. Opozita nuk ju detyroi të lidhni çdo ditë kontrata njëburimore. Opozita nuk e zhyti vendin në korrupsion”.
“Se kush doli i pari në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe kush e mbajti vendin të bllokuar për 9 muaj duke e çuar sërish në zgjedhje, qytetarët e dinë shumë mirë”, vazhdon më tej Bajrami.
Ajo thekson se nuk duhet nënvlerësuar qytetarët dhe se më 28 dhjetor, vendi çlirohet nga mashtruesit”.
“Ani kishe patriota!!!”, përfundon ajo.
