Shkarkimi i Besim Kelmendit nga pozita e u.d. Kryeprokurorit te Shtetit ka tërhequr disa fije në KPK, organin më të lartë të sistemit prokurorial. Një nga to është zbardhja e lidhjeve me pushtetin të anëtarëve të këtij këshilli që e kundërshtuan zëshëm shkarkimin e njeriut që rezultoi të ketë punuar në sistemin e regjimit të ish-Millosheviqit. Një hulumtim i Paparacit zbulon lidhjet e ngushta të një prokurori, anëtari të KPK-së, me partinë në pushtet.
Arian Gashi, njëri nga anëtarët e Këshillit Prokurorial që e ka kundërshtuar në çdo formë shkarkimin e Besim Kelmendit, u.d. e Kryeprokurorit me të kaluar në sistemin e drejtësise së regjimit të Millosheviqit, ka lidhje të ngushta me partinë në pushtet.
Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar se vëllai i Arian Gashit është një i emëruar në funksion të lartë publik nga qeveria e Albin Kurtit.

Urim Gashi, vëllai i anëtarit të KPK-së, njëkohësisht prokurorit të Prokurorisë së Apelit, tash e tri vjet është udheheqës i bordit të ndërmarrjes publike KRU “Gjakova”.
Ketë post të rëndësishëm, në udhëheqje të trupës më të lartë të ndërmarrjes publike, Urim Gashi e ka marrë me miratimin e qeverisë në një mbledhje me 20 korrik të vitit 2022, ka zbuluar Paparaci.

Të gjitha emërimet e bëra deri tani në këtë bord kanë ardhur nga Qeveria Kurti, ndërsa zyrtarët e përzgjedhur janë identifikuar shpesh si të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje. Edhe vetë Urim Gashi, vëllai i prokurorit Arian Gashi, konsiderohet si emër me lidhje dhe afërsi me LVV.
Lidhur me këtë, Paparaci të hënën ka tentuar të marrë edhe një qëndrim nga të dy, por deri në publikimin e këtij lajmi, mediumi nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërkohë, të hënën Paparaci ka zbuluar se vëllai i tij, prokurori Arian Gashi, është përfshirë në një skemë të dyshimtë të ushtrimit të ndikimit në procesin e përzgjedhjes së anëtares së re të KPK-së.
Gashi dyshohet se ka ushtruar ndikim te prokurorët e prokurorive themelore që të votojnë për një kandidate të caktuar në garën për zgjedhjen e një anëtareje të Këshillit Prokurorial, tregon një mesazh që një prokuror në Pejë ia ka dërguar kryeprokurores së kësaj prokurorie.
Rastin e ushtrimit të ndikimit nga anëtari i KPK-së, Arian Gashi, e ka denoncuar kryesuesi Ardian Hajdaraj të hënën në një takim të Këshillit.
Mesazhin e prokurorit, i cili nuk është identifikuar, e ka siguruar Paparaci. Komunikimi është zhvilluar në Whatsapp.
Në SMS-in që ia ka dërguar Kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokurori ka denoncuar ushtrimin e ndikimit nga shefi i Komisionit Zgjedhor për anëtaren e re të KPK-së. Ky proces është zhvilluar më 1 nëntor në Konferencën Vjetore të Prokurorit të Shtetit.
“Prokuror, nëse je këndej hajde deri te unë”, i shkruan Kryeprokurorja e Pejës, prokurorit të paidentifikuar.
Tutje, ajo insiston që të marrë një arsyetim nga prokurori për mungesën e tij në konferencën ku u votua për zgjedhjen e anëtares së re prokurore në KPK.
“Prokuror, përshëndetje, duhesh me u arsyetu për mungesën tënde në konferencë. Është bërë kërkesa nga Ariani për mungesën e juaj dhe Sahides e që kjo e fundit më ka njoftu se ka pasur paraburgim dhe kujdestari të ngarkuar”, i thotë ajo, prokurorit.
“Më vjen keq!”, mbyllet mesazhi i Kryeprokurores.

Prokurori, i cili nuk mori pjesë në Konferencën Vjetore të Prokurorit të Shtetit dhe rrjedhimisht as në procesin e votimit të përzgjedhjes së anëtares së re të KPK-së, e njofton eproren e tij se gjatë ditëve të fundit ka pranuar telefonata dhe mesazhe nga prokurori Arian Gashi.
Ai e implikon Gashin në ushtrim ndikimi për votimin e “kandidates së tij”, duke iu referuar kandidates për anëtare të re të KPK-së, zëvendësprokurores së Prishtinës, Elza Bajramit.
“Përshëndetje Kryeprokurore, hiq mos të vjen keq unë ua japë arsyetimin dhe ta dërgoj ditën e hënë kur vij në Pejë i shef sa herë më ka thirrur dhe shkruar për me shkue me ja votue kandidaten e tij”, i përgjigjet prokurori, eprores së tij.
Në mesazh, prokurori thotë se vota është e drejtë ligjore e jo “obligim”.
“Veq deshta me ia përkujtue Arianit se me votue është e drejtë ligjore dhe asesi nuk është obligim, me logjikën e tij qytetarët nuk marrin pjesë në zgjedhje duhet mi dënue!”, shkruan prokurori në mesazhin e tij.
Procesi i zgjedhjes së anëtares së re të KPK-së, i zhvilluar më 1 nëntor të këtij viti, u përmbyll me kandidaten Elza Bajrami që mori më shumë vota sesa kundërkandidatja Merita Kurtishi.
Megjithatë, procesi është përcjell me kontestime në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkak të ligjshmërisë.
Anëtarë të KPK-së janë ankuar në parregullsi të procesit.
Për këtë arsye, në një takim të KPK-së të hënën, Këshilli Prokurorial e rrëzoi raportin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e anëtares së re të KPK-së.
Pesë anëtarë të KPK-së votuan kundër raportit.
Çështja është në Gjykatën Themelore në Prishtinë, bazuar në një padi të kundërkandidates Merita Kurtishi./Paparaci
Zbulohet mesazhi i prokurorit në Pejë që e implikon anëtarin e KPK-së në ushtrim ndikimi
