Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se një ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) dhe më pas i integruar në Policinë e Kosovës, është arrestuar të shtunën në Leshak, nën dyshimin për kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, më 1 nëntor brenda territorit të Kosovës.
Siç ka thënë Sveçla, ekzistojnë dyshime të bazuara se V.M. ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Milan Vukashinoviqit, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi.
Sveçla ka thënë se i arrestuari së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë më 2023.
“V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
